Bota

Ekonomisti rus: Putin duhet të detyrohet të zgjedhë ose rrogat, ose luftën



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 15:55 - 27/11/22 |
Opi Nion

Kur presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, duke shkelur sovranitetin e një vendi fqinj, sanksionet ndërkombëtare janë parë si përgjigjja më e mirë edhe nga SHBA-ja, edhe nga aleatët e saj.

Presidenti amerikan, Joe Biden, nga dita e parë është zotuar se “agresioni nuk do të mbetet pa përgjigje”. Në të kundërtën, pasojat do të ishin shumë më të këqija, ka thënë ai.

“Do të kufizojmë aftësitë e Rusisë për të bërë biznes në dollarë, euro, paund dhe jen. Do të kufizojmë aftësinë e saj për të qenë pjesë e ekonomisë globale. Do t’i frenojmë aftësitë për të financuar dhe rritur ushtrinë ruse”, ka thënë Biden më 24 shkurt.

Po atë ditë, Bashkimi Evropian ka miratuar një varg sanksionesh ekonomike kundër Rusisë, të cilat, siç ka thënë shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, “do t’i ndërpresin Rusisë qasjen në tregjet më të rëndësishme të kapitalit”.

Putin ka pranuar se ekonomia ruse do të përballet me vështirësi si pasojë e sanksioneve ndërkombëtare, por është zotuar se ajo do të rimëkëmbet dhe do të përshtatet shpejt me realitetin e ri.

“Nuk ka dyshim se realiteti i ri do të kërkojë ndryshime të thella strukturore në ekonominë tonë. Nuk do ta fsheh, nuk do të jetë e lehtë, do të ketë rritje të përkohshme të inflacionit dhe papunësisë. Në këtë situatë, detyra jonë është t’i minimizojmë rreziqet e tilla”, ka thënë Putin.

Sanksionet e SHBA-së, BE-së dhe vendeve të tjera kundër Rusisë kanë shkuar vazhdimisht duke u rritur. Sot janë në fuqi një varg sosh – nga ndalimi i mallrave dhe shërbimeve ruse deri te bllokimi i transaksioneve të saj financiare. Dhjetëra kompani ndërkombëtare po ashtu kanë pezulluar tregtinë në Rusi, ose janë tërhequr fare. Nga disa media në SHBA, sanksionet janë cilësuar si më të rëndat dhe më të koordinuarat ndonjëherë nga Perëndimi.

Por, më shumë se nëntë muaj pas, Rusia vazhdon luftën në Ukrainë – në disa rajone edhe më brutalisht. Nga shtatori ka mobilizuar qindra mijëra ushtarë të rinj dhe ka shpallur aneksimin e paligjshëm të disa territoreve ukrainase. Monedha kombëtare ruse, rubla, pas një rënieje të mprehtë, është rikthyer në nivelet e paraluftës.

Nga pamjet që qarkullojnë në internet, situata me furnizime në Rusi duket po ashtu e mirë. Në raftet e dyqaneve ka edhe produkte perëndimore, të cilat thuhet se arrijnë nga vendet e treta.

Atëherë, shtrohet pyetja: a kanë dështuar sanksionet, apo janë duke bërë punë? Maxim Mironov, profesor i financave në Shkollën e Biznesit në Madrid, përgjigjet për emisionin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Jo, ato nuk kanë dështuar, por definitivisht nuk janë të mjaftueshme. Në dy javët e para të luftës, Perëndimi ka ndërmarrë shumë sanksione. Rezervat e Bankës Qendrore Ruse janë ngrirë edhe në SHBA, edhe në BE. Në total, rreth 300 miliardë dollarë. Kjo ka qenë një goditje e madhe. Ka pasur shumë sanksione edhe në importe dhe Rusia është përballur me vështirësi në sigurimin e gjërave eseneciale”.

“Megjithatë, nuk ka pasur fare sanksione mbi burimin kryesor të të ardhurave për ekonominë ruse: mbi naftën dhe gazin”, thotë Mironov.

Shtetet e Bashkuara i kanë ndaluar të gjitha importet e naftës dhe gazit rus, por jo edhe Bashkimi Evropian, i cili mbështetet te Rusia për 40 për qind të nevojave të tij për gaz. BE-ja, me blerjet e saj, i siguron Rusisë mbi 1 miliard dollarë në ditë.

Ekonomisti rus, Maxim Mironov, thotë se pas fillimit të luftës, blloku evropian, jo vetëm që nuk i ka zvogëluar të ardhurat për Rusinë, por madje i ka rritur ato – sidomos në tremujorin e parë pas 24 shkurtit.

“Kjo ka ndodhur për dy arsye: rritjes së çmimit ndërkombëtar të naftës dhe frikës së politikanëve të BE-së nga mungesa e furnizimeve. Andaj, kanë bërë përpjekje për rritjen e rezervave për të ardhmen dhe, në këtë mënyrë, kanë rritur edhe transferet e parave për Putinin”, thotë Mironov.

Bashkimi Evropian planifikon t’i ndalojë importet e naftës ruse nga deti deri në fund të këtij viti. Kjo do të thotë zvogëlim i sasisë për dy të tretat. Në mars, BE-ja është zotuar se, brenda një viti, do t’i reduktojë edhe importet e gazit nga Rusia për dy të tretat. Megjithatë, deri më tash, nuk është arritur ndonjë pajtim për ndalim të plotë.

Mironov dyshon se efekti i sanksioneve do të vërehet shumë, derisa Putin të mos vihet para, siç thotë, zgjedhjeve të vështira. Në këtë pikë mund të arrijë vetëm nëse merr 25 apo 30% për qind të të ardhurave që ka sot nga nafta dhe gazi, thotë ai.

“Kjo do ta detyronte Putinin të zgjedhë: ose të vazhdojë luftën, ose të paguajë rrogat dhe pensionet. Sepse, nuk do të mund t’i bënte të dyja. Ky edhe duhet të jetë qëllimi i sanksioneve ekonomike, që Putin të mos ketë para për gjithçka dhe të bëjë zgjedhje të vështira. Sot, ai ka para për të paguar rrogat, pensionet dhe luftën”, thotë Mironov.

Jason Blazakis, nga Instituti Middlebury për Studime Ndërkombëtare, thotë se në tryezë duhet të jetë edhe një sanksion tjetër: klasifikimi i Rusisë si shtet sponsorizues i terrorizmit.

Blazakis, i cili ka shërbyer si drejtor i Zyrës së Financave kundër Terrorizmit pranë Departamentit amerikan të Shtetit, thotë për Exposenë se klasifikimi i tillë, mes tjerash, do të shkaktonte sanksione dytësore kundër vendeve që vazhdojnë të mbështesin luftën e Rusisë, në një mënyrë ose tjetër.

“Nga përvoja ime si shef i zyrës që është marrë me këtë punë në Departamentin e Shtetit, kjo bën që bizneset të vënë në pikëpyetje vullnetin e tyre për të punuar me një vend që etiketohet si sponsorizues i terrorizmit. Po ashtu, do të kishte hezitime edhe nga India e Kina, që vazhdojnë të kenë marrëdhënie aq të forta me Federatën Ruse. Ato do të mund të bëheshin subjekt i sanksioneve dytësore, nëse Federata Ruse do të etiketohej si shtet sponsorizues i terrorizmit”, thotë Blazakis.

Sipas tij, një vend mund të klasifikohet kështu nëse ka së paku dy shembuj të mbështetjes së terrorizmit nga aparati shtetëror. Ai thotë se Rusia e plotëson këtë kriter pasi mbështet disa aktorë të angazhuar në terrorizëm. Aktualisht, në listën e SHBA-së si shtete sponsorizuese të terrorizmit janë: Kuba, Koreja e Veriut, Irani dhe Siria.

Kur presidenti amerikan, Joe Biden, është pyetur nga gazetarët në muajin shtator, nëse Rusia duhet të shtohet në listën e “sponsorizuesve të terrorizmit” të Departamentit amerikan të Shtetit, përgjigjja e tij ka qenë: Jo.

Blazakis thotë se administrata Biden ka disa arsye pse heziton.

“Në mënyrë të pashmangshme mund ta dëmtojë zgjidhjen diplomatike të konfliktit, që mendoj se të gjithë e duan. Dhe e dyta – nga perspektiva amerikane ndoshta edhe më e rëndësishme – është se Federata Ruse mban peng disa shtetas amerikanë, si për shembull Brittney Griner, dhe do të ishte shumë e vështirë për t’i liruar nëse Rusia do të etiketohej si shtet sponsorizues i terrorizmit”, thotë Blazakis.

Të mërkurën e 23 nëntorit, Parlamenti Evropian e ka klasifikuar Rusinë si shtet sponsorizues të terrorizmit. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka mirëpritur këtë veprim, edhe pse simbolik.

“Rusia duhet të izolohet në të gjitha nivelet dhe të mbahet përgjegjëse, për t’i dhënë fund politikës afatgjate të terrorizmit në Ukrainë dhe në mbarë globin”, ka shkruar Zelensky në Twitter.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se “edhe sanksionet më të ashpra nuk i kanë bërë vendet të ndryshojnë pozicionin e tyre”.

Por, Blazakis, nga Instituti Middlebury, argumenton se sanksionet kanë qenë efektive në një numër situatash.

“Në kontekstin e organizatave specifike, për shembull, grupi i njohur si FARC në Kolumbi është sanksionuar nga BE-ja, SHBA-ja dhe shumë qeveri të tjera. Në fund, këto sanksione kanë pasur efekt dhe e kanë sjellë FARC-un në tryezën e bisedimeve. Sanksionet kanë efekt afatgjatë dhe efekt afatmesëm. Nëse konflikti [në Ukrainë] vazhdon, atëherë vazhdojnë edhe sanksionet kundër Federatës Ruse. Dhe për popullin rus dhe Qeverinë ruse, do të bëhet më keq. Kjo, pastaj, mund t’i sjellë rusët në tryezën e bisedimeve”, thotë Blazakis.

Rusia është nën sanksione të Perëndimit prej se ka aneksuar në mënyrë të paligjshme Gadishullin ukrainas të Krimesë, në vitin 2014. Megjithëse, sanksionet e ndërmarra atëherë, profesori Mironov i cilëson si “shaka”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një parashikim të vetin, ka vlerësuar se ekonomia ruse do të tkurret për më shumë se 8 për qind këtë vit. Ndërsa, për ekonominë e Ukrainës, si palë e pushtuar, kjo shifër shkon deri në 35%.

Përkundër të gjithave, një sondazh i qendrës së pavarur Levada në Moskë ka gjetur se shumica e rusëve – 76% – e mbështesin luftën në Ukrainë. Sondazhi është publikuar në fillim të shtatorit, gjashtë muaj pas nisjes së pushtimit rus./ REL

Pas