Bota

Ekonomia amerikane rritet 6.4% në tremujorin e parë


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 19:30 - 29/04/21 |
Opi Nion

Ekonomia amerikane u rrit me një ritëm të shpejtë vjetor prej 6.4% tremujorin e fundit, fuqizuar kryesisht nga shpenzimet e konsumatorëve. Ekonomia amerikane tregon kështu fuqinë e saj të nxitur nga ndihma qeveritare dhe rënia e rasteve të koronavirusit që mund të çojnë në përmirësime të mëtejshme të ekonomisë ndërsa vendi del me shpejtësi të pazakontë nga recesioni i shkaktuar nga pandemia.

Produkti i brendshëm bruto i vendit, prodhimi i përgjithshëm i mallrave dhe shërbimeve – u rrit në tremujorin janar-mars nga 4.3% që ishte në tremujorin e fundit të vitit 2020, tregoi të enjten një raport i publikuar nga qeveria. Rritja në periudhën aktuale prill-qershor pritet të jetë akoma më e shpejtë: Disa ekonomistë thonë se mund të arrijë një ritëm vjetor prej 10% ose më shumë, nxitur nga një rritje e numrit të njerëzve që udhëtojnë, që bëjnë pazare, darkojnë dhe vazhdojnë me prirjet e tyre të shpenzimeve.

Qeveria gjithashtu tha të enjten se numri i amerikanëve që kërkuan ndihmë për papunësinë pati një ulje të re javën e kaluar. Megjithëse pushimet nga puna mbeten të larta, ato po lehtësohen në mënyrë të vazhdueshme ndërsa ekonomia po hapet më shumë.

Shifrat e fundit tregojnë për një rimëkëmbje jashtëzakonisht të shpejtë nga recesioni që shkatërroi ekonominë vitin e kaluar si pasojë e koronavirusit dhe u kushtoi dhjetëra miliona amerikanëve vendet e tyre të punës. Ekonomistët thonë se vaksinimet e shumta, rihapja e më shumë bizneseve, shtimi i madh i shpenzimeve federale dhe zgjerimi i vendeve të punës pritet të ndihmojnë në mbështetjen e një rritje të qëndrueshme. Për vitin 2021 në tërësi, ata presin që ekonomia të rritet me afro 7%, e cila do të shënonte rritjen më të shpejtë të një viti kalendarik që nga 1984-a.

Një nga arsyet kryesore për këto pritshmëri janë shpenzimet në nivelin rekord që janë gati të bëhen në ekonomi. Një paketë prej 1.9 trilionë dollarësh që Presidenti Joe Biden miratoi përmes Kongresit në mars siguroi, midis ndihmave të tjera të shpëtimit, 1,400 dollarë pagesa stimuluese për shumicën e të rriturve amerikanë.

Për më tepër, Presidenti Biden po propozon dy plane shtesë shpenzimesh të mëdha: një paketë prej 2.3 trilionë dollarësh për infrastrukturën dhe një investim prej 1.8 trilionë dollarësh për fëmijët, familjet dhe arsimin që presidenti e promovoi të mërkurën në mbrëmje në fjalimin e tij të parë në një seancë të përbashkët të Kongresit.

Politika e normave të ulta të interesit nga Rezerva Federale, e cila ka për qëllim të inkurajojë huamarrjet dhe shpenzimet, gjithashtu ka siguruar një mbështetje të konsiderueshme për ekonominë. Në fakt, ekonomia pritet të rritet aq shpejt sa që disa ekonomistë kanë ngritur shqetësime se mund të nxisë inflacionin.

Kjo pjesërisht, për shkak se kërkesa më e fortë ka shkaktuar pengesa në furnizim dhe mungesë të disa mallrave dhe përbërësve, veçanërisht gjysmëpërçuesve, të cilët janë thelbësorë ndër të tjera për industritë e automjeteve, teknologjisë dhe pajisjeve mjekësore.

Në një konferencë shtypi të mërkurën pas takimit të fundit të Rezervës Federale megjithatë, kreu Jerome Powell përsëriti besimin e tij se çdo rritje e inflacionit do të ishte e përkohshme. Ai tha se Rezerva Federale dëshiron të shohë një rimëkëmbje të konsiderueshme dhe të qëndrueshme të ekonomisë përpara se të mendonte të tërhiqte mbështetjen e saj. Ndërkohë, zoti Powell e bëri të qartë se banka qendrore nuk po shikon mundësinë të fillojë një tërheqje të politikave të saj me norma tepër të ulta të interesit.

Forca e mëkëmbjes së ekonomisë së SHBA ka qenë veçanërisht mbresëlënëse duke pasur parasysh shkallën e dëmit që shkaktoi pandemia duke filluar nga marsi i vitit të kaluar. Me të gjitha bizneset e mbyllura, ekonomia u tkurr me një ritëm vjetor rekord prej 31% në tremujorin prill-qershor të vitit të kaluar përpara se ta rigjallërohej në muajt vijues.

“Ekonomia është në rritje të shpejtë”, tha Sung Won Sohn, profesor i financave dhe ekonomisë në Universitetin Loyola Marymount përpara se të publikohej të enjten raporti i PBB-së. “Ajo po nxitet nga vaksina, e cila është stimuli më i mirë ekonomik që kemi, plus shpenzimet qeveritare masive”.

Në javët e fundit, përfitimet ekonomike janë bërë gjithnjë e më të dukshme. Në mars, punëdhënësit amerikanë shtuan 916,000 vende pune – numri më i madh që nga gushti. Në të njëjtën kohë, ritmi i pushimeve nga puna është zvogëluar, shpenzimet me pakicë janë rritur, prodhimi i brendshëm është rritur dhe besimi i konsumatorit ka arritur pikën më të lartë që nga fillimi i pandemisë.

Raporti i së enjtes i PBB-së tregoi se shpenzimet e konsumatorëve, të cilat përbëjnë më shumë se dy të tretat e ekonomisë amerikane, u rritën me një normë vjetore prej 10.7% në tremujorin e parë, një rritje e rëndësishme pasi shpenzimet ishin ngadalësuar në 2.3% në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

Investimet e biznesit u rritën me gati 10%, duke reflektuar një rritje të shpenzimeve për pajisje. Sektori i strehimit, i cili ka qenë një performues i spikatur vitin e fundit falë niveleve shumë të ulta të interesit, u rrit afërsisht 11% në tremujorin e parë, ende qëndrueshëm, por pak më ulët në krahasim me tremujorin e katërt të vitit të kaluar./ VOA

Pas