Ndërkohë që nesër pritet të zhvillohet takimi mes Presidentit Trump dhe atij ukrainas Zelensky të tjerë liderë do t’i bashkohen takimit që do të mbahet në Uashington. Më parë pjesëmarrjen në takim e ka konfirmuar Presidentja e KE, Ursula von der Leyen dhe kancelari gjerman Merz.
Gjithashtu pak momente më parë, prania e Keir Starmer, Emmanuel Macron, Giorgia Meloni dhe kreut të NATO Mark Rutte në takimin e nesërm në Uashington është konfirmuar zyrtarisht.
“Presidenti francez do të udhëtojë nesër për në Uashington së bashku me Presidentin Zelensky dhe disa udhëheqës evropianë për të vazhduar koordinimin midis evropianëve dhe Shteteve të Bashkuara me qëllim arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme që do të mbrojë interesat jetësore të Ukrainës dhe sigurinë evropiane”, njoftoi presidenca franceze.
Po ashtu mediat italiane raportuan sot se kryeministrja italiane Georgia Meloni ndërpreu pushimet e saj dhe u kthye në Romë të Dielën për t’u përgatitur për udhëtimin në Shtetet e Bashkuara. Në fakt, në mesditën e së dielës, pjesëmarrja e saj u konfirmua nga zyra e saj.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të jetë gjithashtu i pranishëm në takimin vendimtar, njoftoi ekipi i tij. “Sekretari i Përgjithshëm do të marrë pjesë në një takim të organizuar nga presidenti i SHBA-së”, thuhet në deklaratë.
Duke konfirmuar pjesëmarrjen e Starmer në SHBA, në deklaratën e Downing Street thuhet: “Në takimin që do të mbahet nesër në Shtëpinë e Bardhë, Kryeministri Keir Starmer, së bashku me partnerë të tjerë evropianë, është i gatshëm të mbështesë këtë fazë tjetër të bisedimeve të mëtejshme dhe do të konfirmojë se mbështetja e tij për Ukrainën do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”