Kryeministri Rama ka ngritur zyrtarisht padi ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës Ramush Haradinaj.
Siç raporton Klan Kosova padia është dorëzuar të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Rama e akuzon Haradinajn për shpifje dhe kërkon kompensim të dëmit.
Padia me mbi 30 faqe, pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës, për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve.
Në këtë padi, përmenden disa emisione të transmetuara gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë, e ku e ka akuzuar Ramën, që së bashku me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiçin, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas padisë, kryeministri i Kosovës, është autori e përhapësi në publik i akuzave për fakte konkrete të cilat në mënyrë të përsëritur e në mënyrë direkte e indirekte, kanë krijuar në publik idenë e rreme sipas së cilës “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë në personin e Paditësit është në shërbim të një ideje në dëm të interesit të kombit shqiptar në përgjithësi dhe të interesit të Republikës së Kosovës në veçanti”.
Aty përmenden një numër i madh të deklaratave që Haradinaj vazhdimisht i ka dhënë, e në të cilat e ka apostrofuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Kryeministri Rama paralajmëroi padinë ndaj Ramush Haradinajt para disa muajsh në emisionin opinion pikërisht për deklaratat e këtij të fundit në lidhje me marrëveshjen për shkëmbime territoresh. /Opinion.al