-U tha në Opinion

E plotë/Reforma në drejtësi dhe raportet me politikën, Yuri Kim në Opinion


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 21:02 - 22/10/20 |
el ida

Blendi Fevziu: Ambasadorja Kim, shumë faleminderit që na pritët në rezidencën tuaj.

Ambasadorja Kim: Është kënaqësi t’ju kem këtu. Mirë se erdhët.

Blendi Fevziu: Keni qenë këtu që nga fillimi i janarit, apo jo?

Ambasadorja Kim:E saktë.

Blendi Fevziu: Si është qëndrimi juaj në Shqipëri?

Ambasadorja Kim: Është i mrekullueshëm. Më i miri.

Blendi Fevziu: Çfarë doni të thoni me i mrekullueshëm?

Ambasadorja Kim: Do të thotë që Shqipëria është një nga vendet më të mira në botë për një amerikan. Është kënaqësi të jem këtu.

Blendi Fevziu: Sepse është vend pro-amerikan apo…

Ambasadorja Kim: Është sepse është një vend pro-amerikan, me një histori të pasur dhe me njerëz të mrekullueshëm.

Blendi Fevziu: Po ju keni qenë më pare edhe në Turqi me mision. Turqia ka një histori si e jona, të pasur në histori, të pasur në kulturë. Pse thoni se Shqipëria është vendi më i mire në botë?

Ambasadorja Kim: Ngaqë…

Blendi Fevziu: Apo flisni si ambasadore?

Ambasadorja Kim: Flas edhe si ambasadore edhe si person. Për mua, Shqipëria…

Blendi Fevziu: Nuk është diplomatike…

Ambasadorja Kim: Jo, jo. Jo, Shqipëria është një vend i veçantë, mendoj, shumë shumë i veçantë në botë.

Blendi Fevziu: Për shkak të diellit, të motit? Sepse të gjithë ish-ambasadorët më kanë thënë në intervista se dielli është gjëja më e mirë në Shqipëri.

Ambasadorja Kim: Po. Dielli këtu është i ndritshëm, i ngrohtë, por edhe shumë i butë. Ndryshe nga çdo vend tjetër në botë.

Blendi Fevziu: A kishit ndonjë ide për vendin tonë përpara se të vinit në Shqipëri?

Ambasadorja Kim: Pakëz. U takova me të gjithë ish-ambasadorët…

Blendi Fevziu: Përpara se të emëroheshit si ambasadore.

Ambasadorja Kim: Dija pak, por është…

Blendi Fevziu: …informacion të përgjithshëm …

Ambasadorja Kim: …po, saktë… E dini, ka shumë legjenda për Shqipërinë por nuk e njihja Shqipërinë.

Blendi Fevziu: Pastaj u takuat me ish-ambasadorët në Shqipëri? Çfarë ju thanë?

Ambasadorja Kim: Të gjithë më thane se pasi të kesh ardhur në Shqipëri, nuk të hiqet nga zemra.

Blendi Fevziu: Është e njëjta gjë për të gjithë ata, mendoj?

Ambasadorja Kim: Të gjithë.

Blendi Fevziu: Cila ishte këshilla më e mirë që të dhanë?

Ambasadorja Kim:Mendoj këshilla më e mirë ishte nga Ambasadori Rajerson, i cili më tha:

Blendi Fevziu: Ambasadori i pare pas rifillimit të marrëdhënieve diplomatike në vitin ’91…

Ambasadorja Kim:Po, më tregoi se sa i veçantë është ky vend, se vendi ka kaluar shumë, se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie shumë unike, dhe që ka shumë potencial, ndaj jam e lumtur që jam këtu.

Blendi Fevziu: Ambasadori Rajerson ka qenë këtu në një çast të pashlyeshëm, kur Sekretari i Shtetit Xhejms Bejker erdhi në Shqipëri. Ishte një ditë e çmendur fare, për ne por mendoj edhe për diplomacinë amerikane.

Ambasadorja Kim:Po.

Blendi Fevziu: Ju jeni lindur në Kore, lindur koreane…

Ambasadorja Kim:Po…

Blendi Fevziu:…dhe pastaj u transferuat me familjen në Guam, një territor amerikan.

Ambasadorja Kim:Po…

Blendi Fevziu:Ka ngjashmëri midis Shqipërisë dhe Koresë, keni gjetur ndonjë të tillë në Shqipëri? Janë kaq larg…

Ambasadorja Kim:Shumë larg… Koreanët dhe shqiptarët nuk veshin këpucë brenda në shtëpi, ndaj ndihem sikur kemi diçka shumë domethënëse të përbashkët.

Blendi Fevziu:Shumë interesante.

Ambasadorja Kim:Familja ka rëndësi, tradita ka rëndësi, nga vjen ka rëndësi. Marrëdhëniet janë me rëndësi.

Blendi Fevziu:Në ç’moshë u larguat nga Koreja për në Guam?

Ambasadorja Kim:Ika kur isha 3 vjeç por kthehesha çdo verë për të shkuar tek gjyshërit dhe të afërmit.

Blendi Fevziu:Si ishte jeta e një vajze në Guam, një ishull shumë i largët nga kudo.

Ambasadorja Kim:Po, mendoj për cilindo …

Blendi Fevziu:Jam i sigurt, shumica e shqiptarëve nuk e dinë ku bie Guam. Edhe për ne, është në mes të vëmendjes prej historisë midis Kim Jong Un dhe amerikanëve dhe raketave.

Ambasadorja Kim:Është në mes të asgjësë. Është në mes të Paqësorit por mendoj edhe që është në mes të botës.

Blendi Fevziu:Po, qendra e botës është aty ku jetojnë njerëzit.

Ambasadorja Kim:Po.

Blendi Fevziu:Si u larguat nga Guami për në SHBA? Si e filluat diplomacinë?

Ambasadorja Kim:Kur shkova në universitet. Shkova në Universitetin e Pensilvanisë, studiova shkenca politike dhe kur mbarova atje, doja të shkoja diku ndryshe dhe shkova në Universitetin e Kembrixhit, në Angli.

Blendi Fevziu:Në Angli.

Ambasadorja Kim:Po.

Blendi Fevziu:Për sa kohë?

Ambasadorja Kim:Për vetëm një vit.

Blendi Fevziu:Një vit. Dhe pastaj filluat diplomacinë?

Ambasadorja Kim:Pastaj u ktheva dhe po kërkoja punë.

Blendi Fevziu:Ishte rastësi apo e donit diplomacinë?

Ambasadorja Kim:Jo, koincidencë. U ktheva në Uashington dhe e dija që doja të bëja diçka në shërbimin publik. Nuk doja t’i hyja biznesit.

Blendi Fevziu:Donit të hynit në shërbimin publik.

Ambasadorja Kim:Po, patjetër.

Blendi Fevziu:Është me rëndësi, i vështirë …

Ambasadorja Kim:Po…

Blendi Fevziu:…dhe është detyrë.

Ambasadorja Kim:Po. Isha duke pare vende të ndryshme pune dhe teksa kërkoja, qëlloi që pashë broshurën e Departamentit të Shtetit për Shërbimin e Jashtëm. Dhe, ka një provim prove, pas broshurës. Dhe, teksa prisja, po e shihja dhe mendova:  duket argëtuese. U regjistrova për provimin dhe kalova çdo faze dhe kështu u bëra diplomate dhe ndihem me shumë fat.

Blendi Fevziu:Filluat misionin, të themi. Gjatë këtyre viteve në diplomaci, ku keni qenë?

Ambasadorja Kim:Gjysmën e pare të karrierës e kalova në Azi. Isha në Pekin dhe Tokio dhe pastaj u ktheva në Uashington për t’u bërë ndihmëse e posaçme e Sekretarit të Shtetit Kolin Pauell.

Blendi Fevziu:Pekin dhe Tokio, dy pika shumë të rëndësishme për diplomacinë amerikane, të themi.

Ambasadorja Kim:Pastaj, isha ndihmëse e posaçme e Sekretarit Kolin Pauell.

Blendi Fevziu: Si ishte Kolin Pauell?

Ambasadorja Kim: Fantastik.

Blendi Fevziu: Kam lexuar librin e tij, fantastik.

Ambasadorja Kim:Po. Është vërtet shumë i mirë. Më pas shkova në Kore për t’u marrë me politikën e brendshme dhe pastaj u ktheva në Uashington…

Blendi Fevziu: Çfarë do të thotë të merresh me politikën e brendshme?

Ambasadorja Kim:Në çdo ambasadë, në seksionin politik, janë çështjet e jashtme dhe çështjet e brendshme. Çështjet e jashtme janë për shembull, marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë ose me vende të tjera. Të brendshme do të thotë situata e brendshme, situata e brendshme politike. Dhe në Kore, mbuloja ato të brendshme.

Blendi Fevziu: Korenë e Jugut?

Ambasadorja Kim:Po. Pastaj u ktheva në Uashington. Kris Hill, i cili ishte ambasador në Kore kur u bë…

Blendi Fevziu: I mirënjohur në Shqipëri për shkak të misionit të tij në Shqipëri në vitet 1991-1993, mbaj mend …

Ambasadorja Kim:Më kërkoi të vija në Uashington dhe të punoja me të për Korenë e Veriut.

Blendi Fevziu: Keni punuar në Korenë e Veriut?

Ambasadorja Kim:Jo në Korenë e Veriut, për Korenë e Veriut. Po merreshim me negociatat për bisedimet gjashtëpalëshe. Zgjatën për tre vjet. Bëra disa udhëtime në Korenë e Veriut…

Blendi Fevziu: Po, dhe e vizituat?

Ambasadorja Kim:Po…

Blendi Fevziu: Si ishte Koreja e Veriut?

Ambasadorja Kim:Është një vend që po i mbarojnë arsyet për të ekzistuar.

Blendi Fevziu: Vend i çmendur. Kam vizituar 118 vende në botë, por nuk e vizitova dot Korenë e Veriut. Dërgova shumë e -maile në kompaninë që merret me udhëtimet atje dhe gjithmonë thoshin, ‘jo, për gazetarë, pothuajse e pamundur.’ Si ishte jeta atje? A mund të lëviznit lirisht në rrugë apo…

Ambasadorja Kim:Nuk do shkoja aq larg. Është një vend komunist dhe mendoj shqiptarët e dine ç’do të thotë.

Blendi Fevziu:Po, më mirë se kushdo tjetër.

Ambasadorja Kim:Tamam. Kam lexuar librin tuaj, meqë ra fjala.

Blendi Fevziu:Kam kaluar 21 vite në një vend komunist.

Ambasadorja Kim:Është një shtet komunist totalitar dhe e kuptoja që kur kisha leje të ecja në rrugë, ishte sepse më kishin dhënë leje. Pra, pashë gjërat që donin të shihja. Mendoj se njërëzit janë lindur për të qenë të lirë, pavarësisht nëse janë koreanë, amerikanë, shqiptarë, njerëzit janë lindur për të qenë të lirë.

Blendi Fevziu: Absolutisht.

Ambasadorja Kim:Dhe do të jenë të lire në fund.

Blendi Fevziu:Të shpresojmë. Më pas, pas misionit për Korenë e Veriut, ku ishit?

Ambasadorja Kim:Po, pas Koresë së Veriut, vendosa se duhet të shihja pjesën tjetër të botës dhe që duhet të bëja diçka me pak më shumë rrezik. Dhe shkova në Irak.

Blendi Fevziu: Irak?

Ambasadorja Kim:Po, për një vit.

Blendi Fevziu:Në cilin vit?

Ambasadorja Kim: 2009-2010…

Blendi Fevziu:Në momentin më të keq për Korenë e Veriut…

Ambasadorja Kim:Jo, jo tamam. Ishte i vështirë, por ia dolëm.

Blendi Fevziu:Mendoj se disa ish-ambasadorë amerikanë kanë kaluar kohë në Irak. Xhejms Xhefri, Marsie Ries…

Ambasadorja Kim:Kris Hill, isha me Kris atje prapë…

Blendi Fevziu:Po, sa kohë kaluat atje?

Ambasadorja Kim:Vetëm një vit.

Blendi Fevziu:Vetëm një vit. Si ishte jeta në Bagdad? Apo ishit në Zonën e Gjelbër?

Ambasadorja Kim:Ishte ndryshe, kalova shumë kohë në Zonën e Gjelbër. Dilja pak. Kishe ndjenjën se ishte një qytetërim i madh.

Blendi Fevziu:Po, është një qytetërim i madh.

Ambasadorja Kim:Pres me kënaqësi të shoh që vendi të shkojë në gjendjen që duhet të jetë.

Blendi Fevziu:Po, e kaluara, historia e vendit, Irakut. Bagdadi dhe Basra janë të pabesueshme. Qendra shumë të rëndësishme të qytetërimit në mesjetë.

Ambasadorja Kim:Keni qenë?

Blendi Fevziu:Po, kam qenë në Irak dhe Iran, të dyja vendet.

Ambasadorja Kim:Nuk kam qenë në Iran.

Blendi Fevziu:Irani është shumë interesant, për shkak të historisë, por në përgjithësi, jeta është e çmendur se shoqëria është e ndarë në dy pjesë, mbështetësit e Ajatollahëve dhe ata që janë kundër tyre. Një histori e tmerrshme sepse sheh njerëzit në presionin e një diktature.

Ambasadorja Kim:Po.

Blendi Fevziu:Pastaj, pas Irakut?

Ambasadorja Kim:Nga Iraku shkova në Turqi.

Blendi Fevziu: Turqi? Për sa vjet?

Ambasadorja Kim:Tre vjet.

Blendi Fevziu:Tre vjet, si ishte Turqia? Turqia ka histori të ngjashme, jo njësoj por me ngjashmëri me atë të Shqipërisë. Kemi qenë pjesë e perandorisë otomane për pesë shekuj. Si ishte Turqia?

Ambasadorja Kim: Turqia është një vend mahnitës.

Blendi Fevziu:Keni qenë në Ankara, jo në Stamboll?

Ambasadorja Kim:Isha në Ankara por kalova shumë kohë edhe në Stamboll.

Blendi Fevziu:Stambolli është një nga qytetet më të bukura në botë.

Ambasadorja Kim:Pikërisht.

Blendi Fevziu:Kam parë një pikturë apo gravurë të Stambollit.

Ambasadorja Kim:Po, mirë se erdhët.

Blendi Fevziu: Faleminderit, kam qenë këtu për herën e pare në vitin 1994 kur Ambasadori Xhozef Lejk ftoi gazetarët për hapjen e rezidencave amerikane.

Ambasadorja Kim:Po.

Blendi Fevziu: 26 vite më parë.

Ambasadorja Kim:Mahnitëse.

Blendi Fevziu: Ka kaluar shumë kohë… Ja dhe Stambolli. Pikturë?

Ambasadorja Kim:Është piktura e një artisti që admiroj, Devrim Erbil.

Blendi Fevziu: Shumë e bukur.

Ambasadorja Kim:Stambolli është një nga qytetet e mia të preferuara në botë.

Blendi Fevziu: Shumë interesante. Kaluat tre vjet në Turqi?

Ambasadorja Kim:Tre vjet.

Blendi Fevziu: Dhe pas Turqisë, përsëri në Uashington?

Ambasadorja Kim:U ktheva në Uashington për të drejtuar zyrën që ka përgjegjësi për NATO dhe OSBE. Më pas, Zëvendës Sekretari Blinken më kërkoi të bëhesha Shefe Kabineti e tij. Kur mbarova këtë, shkova në mjediset tona të trajnimit për punë kërkimore. Pas kësaj, u ktheva për të drejtuar zyrën që merret me Turqinë, Greqinë dhe Qipron.

Blendi Fevziu: Kush vendosi që të bëheshit Ambasadore në Shqipëri?

Ambasadorja Kim:Mendoj që e vendosi Presidenti.

Blendi Fevziu: Presidenti nënshkroi, por propozimin e bëri Departamenti i Shtetit…

Ambasadorja Kim:Saktë.

Blendi Fevziu: Si është jeta juaj në Shqipëri, nëntë muajt e fundit?

Ambasadorja Kim:Mendoj ka qenë e shkëlqyer. Ndihem shumë me fat që jam këtu.

Blendi Fevziu: Por e vështirë për shkak të pandemisë? Ndryshe nga ambasadorët e tjerë.

Ambasadorja Kim:Po, por po të shohësh vështirësitë që ofron jeta, vështirësia për të qëndruar në shtëpi nuk është dhe aq e vështirë.

Blendi Fevziu: Kam parë që nuk i trembeni shumë Covidit.

Ambasadorja Kim:Marrim masa. Kur nuk kam maskë…

Blendi Fevziu: Por udhëtoni shumë…

Ambasadorja Kim:Po, por kur jam në makinë, gjithmonë kam maskë. Nuk kam maskë kur ka distancim social të mjaftueshëm ose kur jam jashtë.

Blendi Fevziu: Çfarë do të thotë për ju ose një amerikan të jetë ambasadori amerikan në Shqipëri?

Ambasadorja Kim:Mendoj se është një nder i jashtëzakonshëm të të kërkojnë të përfaqësosh Shtetet e Bashkuara kudo në botë, por për diplomatët amerikanë në Tiranë, mendoj është një kënaqësi e shtuar sepse vendi është kaq pro-amerikan.

Blendi Fevziu: Po, e di, por a është e vështirë të jesh ambasadore? Ambasadorja amerikane?

Ambasadorja Kim:Jo.

Blendi Fevziu: Sepse të gjithë të vëzhgojnë, të gjithë të ndjekin. Media kudo. Politikanët gjithmonë kujdesen për marrëdhënien e tyre me ambasadorin amerikan. Është përgjegjësi e madhe.

Ambasadorja Kim:Mendoj është kënaqësi.

Blendi Fevziu: Është kënaqësi?

Ambasadorja Kim:Po, sigurisht.

Blendi Fevziu: Çfarë marrëdhëniesh keni me politikanët shqiptarë?

Ambasadorja Kim:E dini, detyra ime është të kem marrëdhënie me cilindo që ka ndonjë rol për t’i dhënë formë marrëdhënies midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Kjo përfshin edhe zyrtarët e zgjedhur. Përfshin drejtuesit e opozitës, por kryesisht qytetarët shqiptarë. Sepse zyrtarët e zgjedhur shkojnë e vijnë, por qytetarët mbeten.

Blendi Fevziu: Ambasadore Kim, keni vizituar shumë vende në Shqipëri. Cili ishte më interesanti?

Ambasadorja Kim:Do të thoja…

Blendi Fevziu: Është e vështirë për një ambasador…

Ambasadorja Kim:Çdo qytet që kam vizituar është unik. Kjo e bën Shqipërinë kaq mahnitëse.

Blendi Fevziu: Çfarë ju kujtohet?

Ambasadorja Kim:Më kujtohet arkitektura e bukur e Beratit.

Blendi Fevziu: Një vend i UNESCO-s.

Ambasadorja Kim:Plazhet e Himarës…

Blendi Fevziu: Jugu i Shqipërisë.

Ambasadorja Kim:Saktë. Çatitë e gurta të Gjirokastrës dhe eleganca e heshtur e vendit. Shkodrën e dua.

Blendi Fevziu: E doni Shkodrën?

Ambasadorja Kim:E dua Shkodrën. E dini pse? Sepse njerëzit atje e shijojnë jetën, kuptojnë artet, e dinë kush janë.

Blendi Fevziu: Vizituat Muzeun e Kujtesës?

Ambasadorja Kim:Po.

Blendi Fevziu: Përshtypja juaj?

Ambasadorja Kim:Mendoj se…

Blendi Fevziu: Me idenë e Koresë së Veriut, e kupton…

Ambasadorja Kim:Mendoj se është shumë e qartë që komunizmi nuk funksionon dhe kur funksionon siç do, është një murtajë për çdo vend.

Blendi Fevziu: Keni qenë edhe për ecje, nga Valbona në Theth për shembull.

Ambasadorja Kim:Po.

Blendi Fevziu: Një nga shtigjet më të bukura, të themi. Përshtypja juaj?

Ambasadorja Kim:Mendoj se është ecje e vështirë. Ajo një orë e gjysmë e fillimit ngjitje për në Valbonë…

Blendi Fevziu: Po…

Ambasadorja Kim:…është pak e vështirë, tamam. Por me këto gjëra puna është të hedhësh një hap pas një tjetri, të kesh dikë që të jep dorën dhe të ndihmon për në fazën tjetër. Jam shumë e kënaqur që pata mundësi të takoja disa njerëz në atë ecje. Mendoj njerëzit ishin të habitur por pamja të merr frymën nga bukuria.

Blendi Fevziu: Sidomos pjesa midis ku sheh edhe Thethin edhe Valbonën.

Ambasadorja Kim:Po, ky është një vend shumë i bukur.

Blendi Fevziu: Po jeta juaj jashtë të qenurit ambasadore? Udhëtimi është një gjë, tjetër?

Ambasadorja Kim:Lexoj ca.

Blendi Fevziu: Keni miq këtu?

Ambasadorja Kim: Sigurisht, kam ca. Dhe pres me kënaqësi të bëj edhe të tjerë.

Blendi Fevziu: Kam pare se jeni shumë active në median sociale. Flisni me njerëzit, biseda online. Kam parë…

Ambasadorja Kim:Po…

Blendi Fevziu: Pak ditë më parë, pashë që kishit një bisedë me disa të rinj. Pse e përdorni kaq shumë median sociale?

Ambasadorja Kim:Sepse dua që njerëzit ta dine që i dëgjoj. Për mua, media sociale nuk është vetëm të përçoj atë që mendoj unë. E thashë në fillim kur erdha, dua të lidhemi, dhe kur them le të lidhemi, është një rrugë me dy drejtime. Kur njerëzit kanë pyetje të vërteta dhe kur kanë komente të vërteta, dua të përgjigjem. Sepse e meritojnë, ata marrin kohën për të më thënë diçka, unë dua t’iu përgjigjem me diçka reale. Përpiqem të jap përgjigje të sinqerta, jo përgjigje të gatshme, diplomatike. Përpiqem të jem e vërtetë.

Blendi Fevziu: Dhe, në mendimin tuaj, gjatë këtyre bisedave me të rinj, mendoni se brezi i ri do ta ndryshojë vendin?

Ambasadorja Kim:Sigurisht kështu shpresoj.

Blendi Fevziu: Humbëm shumë mundësi për ta bërë vendin anëtar të Bashkimit Europian, edhe 30 vjet pas rënies së komunizmit. Çfarë mendoni për brezin e ri?

Ambasadorja Kim:Mendoj se është me shumë rëndësi që brezi i ri të ruajë idealizmin. Dhe ta kujtojë veten se kush janë dhe pse bëjnë atë që bëjnë. Jeta mund të jetë e mbushur me cinizëm dhe ka njerëz që do përpiqen të të ndryshojnë, të të bëjnë njësoj me çdo gjë tjetër. Dhe mendoj se është e rëndësishme që të rinjtë ta refuzojnë dhe të thonë: ky vend është vendi im. Do ta bëjmë ndryshe. Marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është me rëndësi, unë do ta bëj më të fortë. Mendoj se të rinjtë mund të jenë agjentët e ndryshimit.

Blendi Fevziu: E dini shumë mirë që të rinjtë duan të largohen nga Shqipëria. Po mësojnë gjermanisht, sepse mendoj shumica e njohin anglishten. Duan të largohen, shumica e të rinjve, sipas sondazheve. Ky është problem. Kush do ta ndërtojë vendin, nëse brezi i ri largohet?

Ambasadorja Kim:Mendoj se është përgjegjësi e atyre që janë në pushtet që t’ia bëjnë vetes atë pyetje dhe të marrin përgjegjësitë për të krijuar kushtet që i tërheqin të rinjtë në Shqipëri.

Blendi Fevziu: Njerëzit në pushtet janë të njëjtët në 30 vitet e fundit.

Ambasadorja Kim:Varet nga votuesit.

Blendi Fevziu: Nuk e ndryshuam dhe aq elitën…

Ambasadorja Kim:Varet nga votuesit.

Blendi Fevziu: Varet nga votuesit?

Ambasadorja Kim:Po!

Blendi Fevziu: Gjithmonë?

Ambasadorja Kim:Gjithmonë.

Blendi Fevziu: Keni ndonjë mesazh për votuesit?

Ambasadorja Kim:mendoj se votuesit duhet të përpiqen të jenë sa më të informuar që të jetë e mundur. Duhet të bëjnë pyetje të vështira. Duhet të mbajnë mend që e kanë ata pushtetin, në një demokraci, janë qytetarët që kanë pushtetin, janë ata që …

Blendi Fevziu: Nëse votojnë lirisht…

Ambasadorja Kim:Më lejoni të mbaroj. Ata që zgjidhen, zgjidhen nga qytetarët, për t’u shërbyer qytetarëve. Dhe mendoj, hera-herës, kjo marrëdhënie sikur përmbyset. Është me rëndësi që njerëzit të mbajnë mend që janë ata shefi. Ata vendosin se kush ulet në fronin e pushtetit. Të drejtat që qytetarët kanë nuk janë dhuratë që iu jepet nga udhëheqësit, por është e drejta e tyre. Ndaj mendoj se është me rendësi që njerëzit ta njohin këtë pushtet që kanë.

Blendi Fevziu: Po, e vërtetë, teorikisht, por e dini, kemi një thënie, ju votoni dhe ne numërojmë votat. Problemi është se si do të ndryshojnë votat dhe numërimi i votave. Ky është problemi.

Ambasadorja Kim:Nuk e kuptoj pyetjen.

Blendi Fevziu: Le të themi që qyetarët votojnë. Dhe politikanët numërojnë votat. Votat dhe numërimi i votave nuk janë gjithmonë njësoj.

Ambasadorja Kim:Mendoj se duhet të…

Blendi Fevziu: Është problem për ne …

Ambasadorja Kim:Mendoj se është problem në një numër vendesh të ndryshme dhe ka mekanizma dhe procedura që duhen vendosur për ta eliminuar ose të paktën për ta minimizuar këtë lloj situate, në mënyrë që zëri i qytetarëve të numërohet.

Blendi Fevziu: Shpresoj që në zgjedhjet e 25 prillit do të kemi një lloj të ndryshëm të votimit dhe numërimit të votave.

Ambasadorja Kim:Nuk e di për çfarë e keni fjalën, ndjesë.

Blendi Fevziu: Po them le të shpresojmë që më 25 prill, do të kemi një lloj të ndryshëm votimi. Që njerëzit të votojnë lirisht, pa probleme, sepse çdo opozitë këtu ka akuzuar pushtetin se ka deformuar votat, numëruar votat, ose le të themi të mos kemi shumë manipulime.

Ambasadorja Kim:Mendoj se sigurisht komuniteti ndërkombëtar, bashkë me OSBE-në, do të ofrojë sa më shumë asistencë që të mundet për të siguruar që të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Blendi Fevziu: Ambasadore, keni edhe dy vjet e gjysmë këtu. Çfarë mendoni për misionin tuaj këtu? Çfarë do të bëni? A keni një plan?

Ambasadorja Kim:Po. Kam tri prioritete këtu: demokracia, mbrojtja dhe biznesi.

Blendi Fevziu: A mund ta shpjegoni secilin?

Ambasadorja Kim:Me demokraci nënkuptoj themelet e demokracisë, çka përfshin llogaridhënie të drejtuesve tek qytetarët, sundimin e ligjit, eliminimin e korrupsionit, dhe të gjitha këto përfshihen tek reforma në drejtësi. Së dyti, për mbrojtjen, duam të sigurohemi që Shqipëria do të vazhdojë të jetë një aleate e fortë, e aftë në NATO. Dhe së fundi, me biznesin, duam të krijojmë kushtet që investitorë nga SHBA dhe të huaj të duan të vijnë në Shqipëri. Dy javë më parë, Nën- Sekretari i Shtetit Keith Krach ishte këtu për të nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi Ekonomik, historik. Është hera e parëqë Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria e kanë bërë këtë dhe jo vetëm kaq, por në të njëjtën sallë, Bechtel nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Qeverinë e Shqipërisë për të ecur përpara me ndërtimin e një hidrocentrali gjigand…

Blendi Fevziu: Skavica

Ambasadorja Kim:Skavica. Nëse përfundohet, do të jetë kontrata më e madhe e SHBA në Shqipëri.

Blendi Fevziu: Kontrata më e madhe në histori?

Ambasadorja Kim:Për Amerikën.

Blendi Fevziu: Mendoj se kemi një problem me investimet e huaja në Shqipëri, shumë të ulëta. Dhe nuk e di pse, është problem i yni apo i të huajve.

Ambasadorja Kim:Mendoj se kam qenë e qartë për këtë, çështja është korrupsioni, sundimi i ligjit, procedurat, të drejtat e pronësisë…

Blendi Fevziu: Dhe gjykatësit…

Ambasadorja Kim:Saktë. Shqipëria është një vend me rreth 2.7 milionë apo 2.8 milionë banorë. Ka një PBB prej rreth 13 miliardë dollarë në vit. Nuk janë shifra shumë të mëdha, apo jo? Që të huajt të vendosin se ia vlen të vijnë në Shqipëri – dhe unë mendoj se ia vlen – por që bizneset të vendosin se ia vlen, duhet të vendosin: nëse unë blej një pronë, a është e drejta ime e pronësisë e garantuar? Pyetja e parë. E dyta: nëse ka një mosmarrëveshje kontraktuale, a mund ta çoj në gjykatë dhe të marr një gjykim të drejtë? Dhe për fat të keq, kemi pasur disa shembuj që tregojnë që në fakt nuk e merr dot një gjykim të drejtë. Është shkurajuese.

Blendi Fevziu: Jam dakord.

Ambasadorja Kim:Së fundi, do që të kesh sigurinë se rregullat që ti zbaton janë të njëjtat edhe për të tjerët. Shpresoj të krijoj një situatë ku autoritetet shqiptare, drejtuesit e biznesit, së bashku me prokurorët e gjyqtarët, ku investitorët amerikanë, investitorët e huaj dhe vetë shqiptarët janë në gjendje ta besojnë sistemin dhe të bëjnë investimet afatgjata që i duhen vendit.

Blendi Fevziu: Faleminderit. Përveç politikanëve dhe bizneseve, a keni lidhje me artin, artistët?

Ambasadorja Kim:Po. Falë zotit.

Blendi Fevziu: Falë zotit. Keni vizituar piktorë, të themi, apo shkrimtarë? Pashë që kenë qenë në shtëpinë muze të Kadaresë.

Ambasadorja Kim:Po, kam qenë atje. Kam pasur privilegjin të flas me Z. Kadare disa herë. Ishte këtu në rezidencë…

Blendi Fevziu: Mori një çmim shumë të rëndësishëm nga Shtetet e Bashkuara.

Ambasadorja Kim:Po. Javën e kaluar isha në Vlorë dhe shkova për vizitë tek Artan Shabani dhe pashë punimet e tij, mora disa këshilla mbi skenën e artit në Shqipëri. Gjithçka shumë mirë.

Blendi Fevziu: Shumë faleminderit për intervistën.

Ambasadorja Kim:Faleminderit.

PJESA II

Blendi Fevziu: Ambasadore Kim, mirë se erdhët në studion e Opinion. Shpresoj do të jeni e hapur për këtë diskutim so

Ambasadorja Kim: Faleminderit shumë për ftesën.

Blendi Fevziu: Dua t’ju pyes drejtpërdrejt. Ditët e fundit, parlamenti miratoi disa ndryshime në ligjin zgjedhor, kodin zgjedhor, por ndryshimet nuk u bënë me kompromis, me konsensusin që patëm në 5 qershor. Më pas, pamë deklarata nga Ambasada e SHBA dhe Bashkimi Europian. Të dyja palët thonë se mbështetja e Ambasadës së SHBA ishte për ta. Opozita tha “mbështetje për ne” dhe qeveria tha “mbështetje për ne.” Kush e ka gabim dhe kush ka të drejtë në këtë rast?

Ambasadorja Kim: Mendoj se deklarata që nxori Ambasada e SHBA ishte shumë e qartë, pra që metoda me të cilën u arrit marrëveshja e 5 qershorit ishte një mënyrë e mirë dhe që duhet të ishte përdorur si model për marrëveshjet në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, ne nuk mund të mohojmë kompetencën e parlamentit për të miratuar legjislacion. Lidhur me pyetjen nëse 5 qershori u shkel apo jo, njerëz të ndryshëm kanë opinione të ndryshme. Nëse më pyet mua…

Blendi Fevziu: Po, dua mendimin tuaj …

Ambasadorja Kim: Edhe opinioni im është shumë i qartë për këtë. Ajo që ndodhi përtej 5 qershorit shkon përtej 5 qershorit, por nuk e shoh si shkelje të 5 qershorit.

Blendi Fevziu: Por në fakt, në 30 vitet e fundit, ose 28 a 29, gjithmonë kemi pasur kompromis, një konsensus le të themi, për kodin zgjedhor. Është hera e parë pas 30 vjetësh kur kemi një ndryshim të kodit, sigurisht që në parlament, që nuk është produkt i konsensusit. A është ky një problem për Shqipërinë apo për komunitetin ndërkombëtar?

Ambasadorja Kim: Mendoj se është shumë zhgënjyese që pjesa e dytë e reformës zgjedhore nuk u arrit në të njëjtën mënyrë, sepse pjesa e parë, 5 qershori u bë mirë. Dhe duhet të ishte përsëritur. Mendoj se është diçka e pafat që opozita kryesore nuk ishte e pranishme në parlament dhe mendoj se kjo nënvizon përgjegjësinë e cilitdo për të mbetur i angazhuar.

Blendi Fevziu: Në fakt, 5 qershori ishte produkt i presionit nga komuniteti ndërkombëtar apo vullnetit të partive politike shqiptare?

Ambasadorja Kim: E dini, Shqipëria është një vend sovran dhe politikanët këtu janë shumë të aftë.

Blendi Fevziu: Disa herë janë vend sovran, disa herë…

Ambasadorja Kim: Mendoj se iu duhej një mik për t’i ndihmuar të arrinin konsensusin. Unë kam qenë në diplomaci për një kohë të gjatë dhe jam ulur në tryeza negociatash shumë herë dhe mund t’ju them që në këtë situatë, donin të arrinin një marrëveshje dhe ishin të lumtur të kishin ndihmën e miqve të tyre.

Blendi Fevziu: Ishte hera e parë që Ambasadorja Amerikane mirëpriti të gjitha partitë politike në rezidencën e saj për të gjetur një zgjidhje. Ishte e pamundur për partitë shqiptare ta arrinin marrëveshjen apo konsensusin pa ndihmën tuaj?

Ambasadorja Kim: Mendoj se është me rëndësi për udhëheqësit që t’i qëndrojnë fjalës së tyre. Kështu, të gjitha partitë kishin rënë dakord të arrinin një marrëveshje deri më 31 mars, apo jo? Kaloi ca kohë për shkak të Covid, por kur u zgjat shumë, mendoj se u bë e qartë që iu duhej pak ndihmë dhe isha e lumtur ta ofroja atë.

Blendi Fevziu: Mendoj se ka shumë komente në median shqiptare, nga analistë apo gazetarë, madje edhe nga Presidenti i Republikës, që thonë se ambasadat apo komuniteti ndërkombëtar pretendon të jetë i pavarur, por në fund, mbështet qeverinë. A është e vërtetë kjo?

Ambasadorja Kim: Unë mendoj se ky është një keqkuptim i diplomacisë. Si diplomate, në rastin tim, më ka dërguar Presidenti i Shteteve të Bashkuara që të përfaqësoj qeverinë time dhe vendin tim dhe, kuptimi i kësaj është që, në radhë të parë, angazhohem me qeverinë që është zgjedhur në mënyrë legjitime, apo jo? Kjo përfshin Kryeministrin, Presidentin, por përfshin edhe pjesën tjetër të vendit, pra flas me qytetarë të zakonshëm, flas edhe me opozitën. Nuk është mbajtje ane. Nuk është kjo ajo që bëjmë.

Blendi Fevziu: Si është marrëdhënia juaj me Presidentin e Republikës? Mendoj se ka pasur një marrëdhënie të vështirë me Ambasadën e SHBA, përfshi ish-ambasadorin Donald Lu dhe ju aktualisht.

Ambasadorja Kim: E di që doni të kem një rol në telenovelën e brendshme dhe e kuptoj këtë, por ajo që mund të them është kjo: puna ime është shumë specifike. Jam këtu për të përfaqësuar një palë, dhe kjo është Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përpiqem të ndërtoj marrëdhënie pozitive, productive me cilindo që është në pushtet dhe kjo përfshin Presidentin, Kryeministrin, udhëheqësin e opozitës, njerëz të zakonshëm, dhe bëj më të mirën që mundem.

Blendi Fevziu: Ambasadore, le të flasim për reformën në drejtësi. Ajo u bë nën mbikqyrjen e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian dhe me mbështetjen e tyre financiare. Tani, katër vjet e katër muaj pasi reforma u votua në parlament, kemi ngecur. Çfarë ka ndodhur?

Ambasadorja Kim: Nuk jam dakord me karakterizimin që bëni. Nuk mendoj se kemi ngecur. E dini çfarë është? Ke të drejtë: katër vjet e katër muaj është një kohë e gjatë, ama më duhet të them që është bërë përparim. Katër vjet e katër muaj më parë, u hartuan ligje me mbështetje unanime nga të gjitha partitë, apo jo? Nga ajo kohë, gjykatat janë ngritur, gjyqtarë dhe prokurorë janë marrë në punë, gjyqtarë dhe prokurorë i janë nënshtruar vetingut. Në muajin e fundit, në javët e fundit, edhe Gjykata Kushtetuese po ecën përpara. Tani ka candidate për dy vendet bosh. Ndaj mendoj se është karakterizim i gabuar të thuash se kemi ngecur. Mendoj se ka njerëz që duan të besojnë se kemi ngecur, që duan të na bëjnë të ngecim, por nuk do të thotë se kemi ngecur.

Blendi Fevziu: Por në vitin 2016, kur parlameti e votoi reformën, a mendonit se do merrte kaq kohë për ta zbatuar atë?

Ambasadorja Kim: Si?

Blendi Fevziu: Në fillim, ideja ishte se duhej shumë kohë për zbatimin e reformës?

Ambasadorja Kim: Mendoj që sa më shpejt aq më mirë, por mund t’ju them që edhe në vende të tjera, kur sheh diçka kaq madhore sa reforma në drejtësi, rindërtimi i një sistemi të tërë gjyqësor, merr kohë, nuk është e lehtë, nuk është e shpejtë dhe nuk është e përsosur. Ndaj, unë nuk e humbas shpresën për situatën në Shqipëri. Por, është po ashtu e vërtetë se jemi në një çast kritik. Ata që janë kundër reformës në drejtësi po intensifikojnë përpjekjet dhe mendoj se ne që e mbështesim reformën, dhe këtu përfshij Shtetet e Bashkuara, miqtë tuaj europianë, popullin shqiptar, është koha të këmbëngulim dhe të shtyjmë fort përpara.

Blendi Fevziu: Ambasadore, reforma në drejtësi largoi nga sistemi shumë gjyqtarë dhe prokurorë, por aktualisht është shumë e vështirë të zëvendësohen. Kjo do të thotë që nuk kemi burimet për t’i zëvendësuar. Çfarë do të bëjmë në këtë rast?

Ambasadorja Kim: Mendoj se numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që u gjetën si të korruptuar ishte shumë më i lartë në përqindje se sa ishte parashikuar. Deri tani, mbi 60% janë larguar nga sistemi. Mendoj se Shkolla e Magjistraturës po punon fort për të prodhuar më shumë gjyqtarë dhe prokurorë. Mendoj po ashtu se gjyqtarët dhe prokurorët që e kanë kaluar vetingun tashmë po dalin përpara për të bërë më shumë ndaj, mendoj se po ecim përpara. Edhe një herë, nuk është e lehtë, nuk është e shpejtë, nuk është e përsosur, por po ecim përpara.

Blendi Fevziu: Jeni e kënaqur me këtë reformë apo me produktin e kësaj reforme?

Ambasadorja Kim: Asnjëherë nuk jam e kënaqur dhe as populli shqiptar nuk është i kënaqur, por kjo është arsyeja pse na duhet ajo.

Blendi Fevziu: Por ambasadore, kemi dëgjuar për shumë kohë që peshqit e mëdhenj do të kapen dhe do dalin para gjykatës. Deri tani, asnjë peshk i madh nuk po shkon në gjykatë dhe peshqit e mëdhenj që ishin në burg po dalin për shkak të vendimeve të fundit të gjykatave. Çfarë ndodhi me peshqit e mëdhenj.

Ambasadorja Kim: Blendi, ndonjëherë kam përshtypjen që këto shprehjet që përdorni përdoren si shpërqendrim. Ajo ku do të përqendrohem unë janë faktet. Për tepër kohë, njerëzit e pushtetshëm në Shqipëri kanë funksionuar me pandëshkueshmëri. Kjo kohë po i afrohet fundit.

Blendi Fevziu: Ç’doni të thoni se po i afrohet fundit?

Ambasadorja Kim: Do të thotë që në muajt e fundit, kemi pare SPAK të deklarojë aktpadi në raste të nivelit të lartë. Tani, nuk mund të flasin për këtë publikisht, sepse kjo është natyra e punës së tyre si prokurorë, por mendoj se do fillojmë të shohim disa rezultate.

Blendi Fevziu: Po, por faktet janë që ne jemi vendi më i korruptuar në Europë, sipas raporteve. Kemi pasur shumë probleme deri tani dhe asnjë nga njerëzit e fuqishëm nuk është dënuar në 30 vitet e fundit. Kur do fillojmë të kemi rezultate konkrete të këtyre hetimeve, nga SPAK, nga reforma në drejtësi?

Ambasadorja Kim: Mendoj që njerëzit kanë të drejtë të jenë të frustruar. Më herët theksuat ‘katër vjet e katër muaj’ është një kohë e gjatë, por në javët dhe muajt e fundit kemi parë çështje që janë ngritur, që po ndiqen penalisht, dhe mendoj se do të shohim disa rezultate.

Blendi Fevziu: Në fillim, kishte shumë shpresa kur u krija SPAK se ai do të luftonte korrupsionin dhe implikime të tjera të zyrtarëve të lartë, por njerëzit tani ndihen sikur SPAK nuk është ku duhet. Është e vërtetë? A besoni ju tek SPAK?

Ambasadorja Kim: Unë besoj tek SPAK. Taksapaguesit amerikanë besojnë tek SPAK. Kemi investuar sasi të stërmëdha kontributesh për t’u siguruar që SPAK të ngrihet dhe të funksionojë. Ka njerëz që do të jenë gjithmonë pesimistë për këtë projekt. Pesimizmi është i lehtë, por unë shoh faktet dhe ajo që shoh është që kemi gjëra – si Byroja Kombëtare e Hetimit – e cila nuk ekzistonte dhe tani ekziston. Pati një përpjekje për të mos e lejuar Drejtoreshën të merrte rolin e saj. E kapërcyem këtë. Kishim pak njerëz që aplikuan për vendet e hetuesve; në fakt, në fund, aplikuan më shumë se 600 persona për 60 vende. Ndaj, ka përparim. Këta njerëz tani po testohen. Dua që njerëzit të mos heqin dorë nga shpresa. Ata që duan që reforma në drejtësi të dështojë duan që të hiqni dorë. Duan që të besoni se asgjë nuk ka ndodhur dhe asgjë nuk do të ndodhë ndonjëherë. Është false, është propagandë. Shihni faktet.

Blendi Fevziu: Në fakt, Byroja Kombëtare e Hetimit do të ketë vetëm mbështetjen tuaj apo edhe asistencën tuaj? Pra, a ka asistencë të SHBA në ato dy institucione dhe nëse po, çfarë lloj asistence po u jepni?

Ambasadorja Kim: Kemi ofruar mbështetje shumë të forte në formën e asistencës teknike, këshillave eksperte, trajnimit, si dhe asistencës materiale, për shembull kompjutera, duke u siguruar që të kenë pajisjet që iu duhen për të bërë punën. Ne i vendosim paratë aty ku themi. Nuk themi thjesht që mbështesim SPAK dhe BKH apo prokurorinë e posaçme, por kemi vënë edhe investimin për ta treguar mbështetjen tonë.

Blendi Fevziu: A ka hetues amerikanë të përfshirë në çështje konkrete në SPAK apo BKH?

Ambasadorja Kim: Ata janë aty për të ofruar asistencë teknike dhe këshilla eksperte. Kam një ish-agjent të FBI-së që është pjesë e personelit në ambasadë që ofron një pjesë të kësaj asistence. Por të jeni të sigurt, jemi aty për të mbështetur në maksimumin e mundshëm.

Blendi Fevziu: A mund të jetë më i shpejtë se sa është tani SPAK? Aq sa duam ne?

Ambasadorja Kim: Mendoj se duam që çdo gjë të ecë sa më shpejt që të jetë e mundur por duhet edhe të sigurohemi që, teksa ecin përpara, ta bëjnë këtë me themele të forta, sepse nëse nxiton ekziston rreziku për të dështuar. Dhe nuk duam të dështojnë. Përsëris edhe një herë: propagandë. Ata që nuk e duan reformën në drejtësi paraqesin pritshmëri tepër të larta që nuk mund të arrihen tani; mendoj se po krijojnë këtë përshtypje sikur reforma në drejtësi, BKH, prokuroria e posaçme, SPAK, janë si ndonjë film aksion.

Blendi Fevziu: Po, të gjithë e mendojnë…

Ambasadorja Kim: Po, një ditë zgjohesh dhe të gjithë kriminelët janë në rrjetë ose pas hekurave. Jeta reale nuk është ashtu. Reforma në drejtësi do të jetë e vështirë. Do të kërkojë kohë. Do të jetë e papërsosur. Do të ketë gabime rrugës, por e dini, duhet të këmbëngulim për të sepse ka të bëjë me të ecurit përpara, një gur mbi një gur për ta ndërtuar këtë sistem.

Blendi Fevziu: Por po flasim në përgjithësi sepse kemi edhe një rast konkret, për shembull. Partia Demokratike, partia më e madhe e opozitës ka dërguar dy dosje për çështjen e inceneratorëve. Kanë ngritur padi kundër Ramës, Ministrit Ahmetaj, Ministrit Gjiknuri, dhe disa të tjerë. Është hera e pare që SPAK ka dokumente, nuk e di cilësinë e dokumenteve, SPAK do t’i verifikojë, kundër atyre që quhen  peshq të mëdhenj në vend. A mendoni që SPAK do të reagojë sa më shpejt që të jetë e mundur në këtë rast?

Ambasadorja Kim: Kam të gjitha pritshmëritë se SPAK do bëjë pjesën e vet. Pretendimet janë ngritur, provat janë paraqitur dhe tani është detyra e SPAK që të shohë provat dhe të vazhdojë procesin më tej.

Blendi Fevziu: A keni dëgjuar për këtë – mendoj që po se të gjithë në media po shkruajnë për të – për çështjen e inceneratorëve? A keni ide për këtë?

Ambasadorja Kim: Siç e thashë më parë, mendoj se pretendimet tashmë janë ngritur, provat janë dërguar në SPAK dhe tani është në dorën e SPAK. Nuk mendoj se është me vend që të komentoj unë.

Blendi Fevziu: Ambasadore, një nga kushtet e Bashkimit Europian për integrimin e Shqipërisë në BE është problemi i funksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Pse është kusht për ne kur Gjykata Kushtetuese është nën mbikqyrjen dhe ndihmën apo drejtimin e komunitetit ndërkombëtar?

Ambasadorja Kim: Mendoj se duhet të pyesni BE-në për pozicionin e tyre por ajo që do them është se Gjykata Kushtetuese është absolutisht e nevojshme. Është pjesë thelbësore e reformës në drejtësi. Ka qenë e ngecur për një kohë shumë të gjatë, përparimi ka qenë i vështirë. Por shihni ç’ka ndodhur në javët e fundit. Në javët e fundit…

Blendi Fevziu: Po lëviz, po…

Ambasadorja Kim: …si presidenti, si parlamenti kanë botuar listen e kandidatëve. Këta kandidatë tani po vlerësohen nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe pasi të ketë përfunduar kjo, kam të gjitha pritshmëritë që do të kemi një Gjykatë Kushtetuese deri në fund të vitit. Dhe e them këtë sepse siç thatë edhe ju, katër vjet e katër muaj janë një kohë shumë e gjatë. Është koha për të ecur përpara, për të prodhuar rezultate.

Blendi Fevziu: Dhe kur mendoni se reforma në drejtësi do të mbarojë?

Ambasadorja Kim: Mendoj se kjo do të jetë një proces i vazhdueshëm. Në asnjë vend nuk ka…

Blendi Fevziu: Çfarë doni të thoni me proces i vazhdueshëm, një proces i gjatë?

Ambasadorja Kim: Ajo që dua të them është se reforma në drejtësi, ashtu si vetë demokracia, është një projekt që kërkon vigjilencë, vëmendje, angazhim të përhershëm; nuk është diçka që ndodh automatikisht. Nuk është diçka sikur zgjohesh një mëngjes dhe thua: mbaruam. Nuk funksionon ashtu. Gjithsesi, mendoj se do të vijë një moment kur shumica e shqiptarëve do të jenë dakord se kanë një sistem gjyqësor që është transparent, që është i ndershëm dhe funksionon sipas sundimit të ligjit dhe atëherë do mund të themi ‘fituam.’

Blendi Fevziu: Dhe, ambasadore, ngjarja më e rëndësishme në shoqërinë shqiptare do të jenë zgjedhjet e 25 prillit. Cilat janë pritshmëritë tuaja për këto zgjedhje?

Ambasadorja Kim: Rregullat janë përcaktuar tashmë. Partitë duhet të qëndrojnë të angazhuara në këtë proces. Dhe pritshmëria ime është që, ashtu si më parë, bashkësia ndërkombëtare, përfshi Shtetet e Bashkuara, si dhe OSBE dhe ODIHR, do të marrin pjesë për të ofruar mbështetjen që i duhet Shqipërisë për të siguruar që të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mendoj se do të jetë një stinë e ashpër politike…

Blendi Fevziu: Kush do ta garantojë që do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme?

Ambasadorja Kim: Kush do ta garantojë? Populli shqiptar duhet ta garantojë. Qeveria shqiptare duhet ta garantojë.

Blendi Fevziu: Në 30 vjet, nuk i kemi pranuar asnjëherë zgjedhjet…

Ambasadorja Kim: Do të ketë mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare, por përgjegjësia kryesore është e vendit. E di që njerëzit janë zhgënjyer nga zgjedhjet në të shkuarën por edhe ODIHR ka qenë shumë i qartë në rekomandimet që kanë bërë për t’i bërë më të mira zgjedhjet në Shqipëri. Mendoj se ka pasur përparim, pak nga pak, për shembull, si pjesë e marrëveshjes së 5 qershorit, pati një marrëveshje për zbatimin e identifikimit biometrik. Kjo do të ndihmojë për të eliminuar mashtrimet në qendrat e votimit. Ka edhe një numër kërkesash të tjera dhe mund t’i gjeni në faqen e ODIHR-it.

Blendi Fevziu: Por ambasadore, problemi është që asnjë nga njerëzit që kanë blerë vota apo kanë krijuar probleme me votat nuk është ndëshkuar. E dini mire që ka dy dosje në duart e drejtësisë për rastet e Dibrës dhe Durrësit, por askush nuk është çuar në gjykatë për këto krime.

Ambasadorja Kim: Mendoj se tani që SPAK është funksional plotësisht, kur paraqiten prova të qarta, ata do të ndërmarrin veprime.

Blendi Fevziu: Ambasadore, nëse ju pyes juve, çfarë këshille keni për Kryeministrin Rama, cila do të ishte këshilla?

Ambasadorja Kim: Për çfarë?

Blendi Fevziu: Për politikën.

Ambasadorja Kim: Jetën në përgjithësi?

Blendi Fevziu: Do të përqendrohem tek zgjedhjet e 25 prillit.

Ambasadorja Kim: Shiko, nuk jam eksperte e zgjedhjeve, por ODIHR është ekspert dhe ata kanë paraqitur disa rekomandime shumë të qarta se çfarë duhet bërë për zgjedhjet në Shqipëri. Po e lë me kaq.

Blendi Fevziu: Dhe këshilla juaj për Lulzim Bashën?

Ambasadorja Kim: E njëjta gjë, përsëri, nuk kam detyrë për të dhënë këshilla, por mendoj se është e rëndësishme për të gjithë udhëheqësit politikë që të jenë transparentë dhe të ndershëm me votuesit, të qëndrojnë të angazhuar në proces, të mos largohen dhe të mbajnë premtimet që iu japin njerëzve.

Blendi Fevziu: Pse e quajtët Luli Basha dhe jo Lulzim Basha?

Ambasadorja Kim: E dini, ishte një episod shumë për të qeshur…

Blendi Fevziu: E di, është një detaj, por jam kureshtar.

Ambasadorja Kim: E dini, ai më thotë Yuri. Unë i them Luli dhe kam këtë lloj marrëdhënieje miqësore me shumë njerëz në Shqipëri. Nuk m’u duk ndonjë gjë dhe u habita kur pashë një artikull që e quante shenjë mosrespekti. Në fakt, kjo është gjëja më e fundit që mund të ishte.

Blendi Fevziu: Dhe nëse të pyes për një këshillë për Presidentin Meta?

Ambasadorja Kim: E njëjta gjë.

Blendi Fevziu: E njëjta gjë?

Ambasadorja Kim: Po.

Blendi Fevziu: Ai nuk do të jetë në zgjedhje sepse është president, por është shumë aktiv në politikë në muajt e fundit.

Ambasadorja Kim: Një pike shumë me vend. Mendoj se ka një rol shumë unik dhe shumë të rëndësishëm që presidenti mund të luajë si bashkues i vendit. Dhe kur e luajti atë rol në fillimet e pandemisë Covid19 dhe thirri Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duke bërë bashkë jo vetëm Kryeministrin por edhe udhëheqësin kryesor të opozitës, mendova se ishte një shembull vërtet i fuqishëm dhe pozitiv. Dhe shpresoj që kjo është diçka që do ta përsërisë. E di që ky është një rol që do ta vlerësonte populli shqiptar. Di që është një rol që Uashingtoni sigurisht e vlerëson ndaj pres me kënaqësi ta shoh të luajë një rol shumë pozitiv.

Blendi Fevziu: Dhe nga politika e brendshme tek marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Cilat janë dosjet apo çështjet më të rëndësishme që kemi mes dy vendeve?

Ambasadorja Kim: Kam tri prioritete këtu: demokracia, mbrojtja dhe biznesi. Për demokracinë, sundimi i ligjit dhe reforma në drejtësi, eliminimi i korrupsionit, këto janë thelbësore. E dyta, mbrojtja, të sigurohemi që të ofrojmë mbështetjen që i duhet Shqipërisë për të qenë një aleate edhe më e aftë në NATO.  Dhe së fundi, biznesi, më kanë thënë se jam ambasadorja e pare amerikane që e theksoj vërtet këtë pikë, por për mua është një vazhdim i natyrshëm i marrëdhënies. Dy javë më parë, Nën-Sekretari i Shtetit ishte këtu dhe nënshkruam një Memorandum historik për Bashkëpunimin Ekonomik, hera e parëqë e bëjmë këtë mes dy vendeve tona. Mendoj se duhej edhe më parë, por është diçka e mire që e bëmë dhe nuk janë vetëm fjalë; sepse menjëherë pas asaj, një nga kompanitë më të mëdha të Amerikës, Bechtel, nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi për hidrocentralin e Skavicës. Nëse realizohet, do të jetë kontrata më e madhe me një kompani amerikane në Shqipëri. Po ju them edhe që dje, ndihmova festimin e pesë-vjetorit të ABI Bank, një tjetër investim amerikan. Kanë investuar mbi 100 milionë dollarë dhe zotërojnë asete prej rreth 750 milionë dollarësh në Shqipëri. Dua të shoh më shumë gjëra të tilla. Pse? Sepse është mirë për amerikanët, është mirë për shqiptarët. Çfarë kërkohet? Nuk është falas. Kërkon sundim të ligjit. Kërkon sigurinë që kur një investitor amerikan blen një pronë, të jetë i/e sigurtë që ajo e drejtë do të respektohet, që kontratat do të zbatohen, që kur ka një mosmarrëveshje, mund ta çojnë në gjykatë dhe do të marrin një gjykim të drejtë dhe transparent. Tani, kam frikë se nuk është tamam kështu. Dhe prandaj duhet reforma në drejtësi tani.

Blendi Fevziu: Dhe këto mund të ndryshojnë edhe klimën e biznesit?

Ambasadorja Kim: Pikërisht. Shumë njerëz e mendojnë reformën në drejtësi dhe korrupsionin si çështje morale. Unë jo. I mendoj si çështje shumë praktike dhe çështje biznesi dhe begatie. Nëse nuk ke rregulla që janë të qarta dhe procese që janë të qarta, i prish punë vetes, Shqipërisë, si vend. Dhe për mua, gjëja më mahnitëse është që kur takoj të rinj në Shqipëri, është e qartë për mua që ky është një vend mahnitës, me njerëz mahnitës. Nuk ka arsye pse Shqipëria të jetë e varfër. Asnjë arsye pse të rinjtë të largohen. Por e dini, përgjegjësia nuk është e tyre për të qëndruar, por është e atyre në pushtet, të gjithë ata, të rriturit, për të krijuar kushtet që t’i mbajnë këtu. Është përgjegjësia e tyre. Dhe shpresoj që kur ta përmbushin premtimin, premtimin që kanë bërë, një premtim që treguan me votimin unanim për reformën në drejtësi, kur ta përmbushin, njerëzit do të votojnë me këmbë në tokë, do të qëndrojnë, dhe Shqipëria do të jetë një vend më i mire si rezultat i kësaj.

Blendi Fevziu: Ky është një problem i madh për ne, ambasadore, sepse në 30 vitet e fundit të demokracisë, kemi humbur thuajse gjysmën e popullsisë, njerëz të larguar për në vende dhe jetë më të mirë në SHBA, Itali, Greqi, Gjermani, dhe tani duhet ta ndalim. Duhet të ndërtojmë vendin tonë sipas standardeve të çdo vendi tjetër demokratik në botë.

Ambasadorja Kim: Keni absolutisht të drejtë.

Blendi Fevziu: Dhe, një pyetje e fundit. Ka shumë komente që thonë se Shtetet e Bashkuara, apo vëmendja e Shteteve të Bashkuara, ose politika e jashtme e SHBA është më e ulët ndaj Ballkanit Perëndimor në vitet e fundit. Është e vërtetë apo jo?

Ambasadorja Kim: E përsëris, mos dëgjoni propagandën. Shihni faktet, Blendi.

Blendi Fevziu: Është prej Presidentit Trump?

Ambasadorja Kim: Jo, shihni faktet, shihni faktet. Jam një person shumë praktik. Shihni faktet. Presidenti i Shteteve të Bashkuara jo vetëm që emëroi një të Dërguar të Posaçëm për të punuar për Ballkanin Perëndimor, por edhe caktoi një nga ndihmësit më të afërt të emëruar si të Dërguar të Posaçëm Presidencial për të punuar për çështjen e Kosovës dhe Serbisë. Muajin e fundit, patë një marrëveshje historike, jo marrëveshja e plotë politike, por një marrëveshje shumë praktike, reale që fokusohet tek…

Blendi Fevziu: …po, tek ekonomia …

Ambasadorja Kim: …tek ekonomia për të trajtuar çështjet më të gjera. Është diçka reale. Po të mos ishte për Covid, do shihnit edhe më shumë vizitorë, por edhe me pandeminë, shihni se çfarë ndodhi vetëm në Shqipëri: Një Memorandum historik Bashkëpunimi Ekonomik midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, një marrëveshje 600 milionë dollarëshe për Skavicën që është pranë finalizimit, një bankë e madhe e SHBA që investon këtu. Do të punoj shumë fort dh e pres me kënaqësi të punoj me udhëheqësit shqiptarë, njerëzit e biznesit dhe të rinjtë sepse ky vend është i mrekullueshëm. Ka potencial të jashtëzakonshëm dhe duhet të jemi optimistë. Duhet të jemi të përqendruar dhe të ecim përpara.

Blendi Fevziu: Ambasadore, a është i madh komuniteti amerikan në Shqipëri?

Ambasadorja Kim: Komuniteti amerikan është me përmasa të mesme, mendoj, dhe janë shumë aktivë.

Blendi Fevziu: Të fokusuar tek? Janë shqiptarë me pasaporta amerikane apo amerikanë – amerikanë?

Ambasadorja Kim: Janë të gjithë amerikanë – amerikanë.

Blendi Fevziu: E di, e di. Por ka shqiptarë që marrin pasaportën amerikane në SHBA dhe janë edhe ata që lindin amerikanë.

Ambasadorja Kim: E di që kemi përzierje të ndryshme këtu, por po, kemi një numër të konsiderueshëm njerëzish që janë lindur në Shqipëri por tani janë qytetarë amerikanë.

Blendi Fevziu: Unë ju falënderoj shumë për këtë intervistë sonte, ambasadore Kim.

Ambasadorja Kim: Faleminderit, Blendi.

Blendi Fevziu: Faleminderit, ishte kënaqësia ime.

Ambasadorja Kim: Kënaqësi edhe për mua.

Pas