Gjykata e Elbasanit ka vendosur të sekuestrojë pasurinë e një 46-vjeçari me vlerë rreth 3.5 milionë euro. Në një njoftim për mediat bëhet me dije se dyshohet se kjo pasuri rrjedh nga veprimtaritë kriminale të 46-vjeçarit me inicialet A. T.
Shtetasi A. T. është autor i dyshuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarive kriminale”, pasi më parë ka qënë i arrestuar në Itali, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, në rrethana rënduese.
Në zbatim të vendimit të gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të ndryshme. Konkretisht janë sekuestruar: një ndërtesë trekatëshe, një ndërtesë dykatëshe, 3 apartamente, disa automjete të llojeve të ndryshme, 4 sipërfaqe ndërtimi dhe një aktivitet tregtar (biznes) me objekt prodhimin e betonit.
Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera të përfituara në mënyrë të kundërligjshme, që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.