Autoritetet italiane akuzojnë një 31-vjeçare se ka përdorur kartën bankare të një pensionisteje, e cila ndërroi jetë për shkak të koronavirusit, për të tërhequr para.
Ngjarja ka ndodhur në Anzola Emilia në Bolonja dhe dyshohet se e reja i ka marrë paratë e 71-vjeçares për të shlyer një borxh të vjetër të saj.
Ajo kishte besimin e pensionistes, dhe shfrytëzoi mundësinë për të marrë kartën e saj dhe për të shlyer një borxh 10 mijë euro që kishte marrë nga një institucion tjetër financiar.
Ngjarja u zbulua nga të afërmit e viktimës, të cilët telefonuan bankën për të mbyllur llogarinë bankare të së ndjerës. Por në atë moment u njohën me të gjitha transaksionet që kishin ndodhur disa ditë pas vdekjes së saj.
Tashmë 31-vjeçarja është vendosur nën akuzë për mashtrim kompjuterik, hyrje e palejuar në të dhënat bankare dhe përdorimin e kartës së kreditit./Opinion.al