Një foshnje vetëm 5-muajshe ra pre e dhunës barbare të së ëmës mbrëmjen e së premtes në Vlorë.
Në gjendje të dehur, 35-vjeçarja përplasi e dhunoi foshnjen, në mes të rrugës.
Me ardhjen e policisë, gruaja u arrestua, ndërsa foshnja u dërgua në spital.
Në një lidhje direkte me emisionin “Rudina”, gazetarja Greta Haskaj tha se dyshimet janë që kjo nuk është hera e parë që nëna ushtronte dhunë ndaj fëmijës së saj.
“Forcat e policisë, të njoftuar nga banorët që ishin në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë për t’i marrë foshnjen, por ajo i ka kundërshtuar me forcë. Megjithatë policia ka bërë të mundur arrestimin e saj, e cila më pas u shoqërua për t’u marrë në pyetje. Sa i përket foshnjes fillimisht është marrë nën kujdes nga blutë e Vlorës, e më pas nga bluzat e bardha në Spitalin Rajonal të Vlorës. Nga burime konfidenciale mësojmë se atë mbrëmje 35-vjeçarja ka qenë në gjendje të dehur dhe në një gjendje jo të mirë emocionale.
Nga komunikimet që kemi pasur me disa bashkëmoshatar të saj dhe banorë të lagjes ku ajo jeton, kemi mundur të kuptojmë se nuk është hera e parë që ajo është parë të shfaqë shenja agresiviteti apo dhune ndaj foshnjes së saj. Gjithashtu na është bërë me dije se kjo 35-vjeçare është e divorcuar”.
Po sipas gazetares, foshnja vijon të ndodhet nën kujdesin e mjekëve, fatmirësisht pa probleme për jetën.
Ndërkohë, shërbimet sociale në Vlorë mësohet se po shohin mundësinë për t’ia hequr kujdestarinë e fëmijës 35-vjeçares.
“Nëna është marrë në pyetje në prani të psikologes dhe të një mjekje psikiatre, për të vlerësuar gjendjen e saj mendore. Sa i përket foshnjes, atë natë është bërë një skaner për të vlerësuar gjendjen e organeve të brendshme të së miturës. Në këtë moment ndodhem pranë Spitalit Rajonal të Vlorës. Kam pasur edhe një komunikim të fundit me bluzat e bardha dhe me mjekët që janë kujdesur për foshnjen dhe fatmirësisht ajo mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.
Megjithatë do të duhet të qëndrojë pranë spitalit të Vlorës nën kujdesin e mjekëve, pasi gjendja e saj nuk është mjaft e mirë. Ka pasur një komunikim edhe me Shtëpinë e Fëmijët në Vlorë, pasi po diskutohet për t’i hequr kujdestarinë nënës 35-vjeçare. Do të vendoset sesi do të shkojë kujdestaria e të miturës 5 muajshe”./tvklan