Në një deklaratë për median kreu i KQZ Klement Zguri ka deklaruar se që nga dita e sotme nuk mund të kontestohet asnjë rezultat në tabelat përmbledhëse në zgjedhjet e 25 qershorit. Zguri tha se deri më tani janë tre forca politike që kanë kontestuar rezultatin e zgjedhjeve dhe bëhet fjalë për PDIU, PS dhe PD.
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka kontestuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Tiranë, ku kryetari i saj, Shpëtim Idrizi e humbi mandatin për 38 vota.
Kreu i KQZ-së, Klement Zguri tha sot në një konferencë për shtyp se edhe Partia Socialiste e ka kontestuar tabelën përfundimtare të qarkut të Tiranës.
KQZ-ja ka vendosur që nesër paradite të shqyrtojë kërkesën e PDIUsë, ndërkohë që ende nuk ka vendosur se kur do të shqyrtojë kërkesën e PS-së. Përveç këtyre dy kërkesave, edhe PD ka regjistruar një ankesë për Beratin ku kërkon rinumërim të votave në dy kuti votimi dhe dy të tjera të shpallen të pavlefshme.