Prokuroria e Tiranës i ka deleguar Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, kryerjen e disa veprimeve hetimore për pajisjen e përgjimit të gjetur në paradhomën e Zyrës së Ministit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Nga kqyrja e parë që i është bërë aparatit përgjues janë gjetur disa gjurmë gishtash.
Aktualisht, pajisja gjendet në laboratorin e Policisë Shkencore, ku do të punohet për të verifikuar se kujt i përkasin gjurmët.
Burime nga grupi hetimor thanë për Televizionin Klan se, pajisja e gjetur është një përçues analog i përgjimeve ambientale.
Pjesa tjetër e pajisjes, ajo që kryen regjistrimin, nuk është gjendur ende dhe hetuesit thonë se do të jetë mjaft e vështirë që të identifikohet vendndodhja e saj.
Specialistët presin që, nga kryerja e ekspertimit të pajisjes të gjejnë sa është distanca e valëve të përgjimit dhe sa ka qenë jetëgjatësia e baterisë, për të kuptuar se për sa kohë ka funksionuar ajo.
Ditën kur u gjet, pajisja ishte e fikur pikërisht pasi i kishte mbaruar bateria.
Ajo është parë nga sekretarja e Ministrit të Brendshëm, në afërsi të grirëseve të letrave.
Zbulimi ka alarmuar admnistratën dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme ka bërë menjëherë referimin në Prokurorinë e Tiranës.
Disa zyrtarë e punonjës të Ministrisë së Brendshme do të thirren në Prokurori, për t’u marrë në pyetje për këtë rast.