Portali i shërbimeve “e-Albania” do të jetë jashtë funksionit për çdo shërbim në fundjavë. Njoftimin e ka bërë vetë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit duke nënvizuar se do të ketë një ndërprerje të përkohshme të shërbimeve nëpërmjet Platformës Qeveritare të Ndërveprimit, brenda harkut kohor nga dita e Premte, më 2 shkurt, ora 20:00 deri ditën e diel, datë 4 shkurt, ora 10:00.
Sipas kësaj Agjencie kjo ndërprerje e shërbimeve vjen në kuadër të proceseve operacionale, që kanë si qëllim optimizimin e pandërprerë të cilësisë dhe sigurisë në ofrimin e shërbimeve publike dhe infrastrukturave të tyre mbështetëse.
AKSH nënvizon se nga kjo do të preken shërbimet elektronike në portalin “e-Albania”, funksionaliteti i regjistrimit të një llogarie në portal, shkëmbimi i të dhënave midis sistemeve elektronike nëpërmjet Platformës Qeveritare të Ndërveprimit, si dhe identifikimi nëpërmjet single-sign-on në sistemet apo platformat elektronike.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit thekson se mbetet në fokus përmirësimi i vazhdueshëm i shërbimeve digjitale dhe rritja e cilësisë së ofrimit të tyre, për qytetarët dhe bizneset, duke shtuar në vazhdimësi edhe elementët e sigurisë./ Klan News