Në një kohë kur shumica e vendeve të botës janë pushtuar nga paniku dhe frika e koronavirusit, një burrë në Vilnius, të Lituanisë ka tejkaluar “të gjitha masat e sigurisë”.
Sipas “Mirror”, 42-vjeçari ka mbyllur gruan e tij në tualetin e shtëpisë, pasi dyshonte se ajo ishte infektuar nga Covid-19. Për të dalë prej aty, e shoqja ishte detyruar të lajmëronte policinë dhe të kërkonte ndihmë.
Burri e justifikoi veprimin drastik, duke thënë se kishte qenë i detyruar të vendoste bashkëshorten e tij “në karantinë”, si një masë për të parandaluar përhapjen e virusit.
Duke folur për mediat vendase, ai tha se dyshimet e tij ishin të bazuara, pasi e shoqja ishte takuar me një kineze që vinte nga Italia, vend që konsiderohet si vatra e tretë e virusit në botë.
Pavarësisht këtij akti, bashkëshortja nuk e denoncoi burrin e saj. Madje ajo kreu dhe testin për koronavirus, i cili fatmirsisht rezultoi negativ. Ndërkaq, deri më tani, në Lituani rezulton vetëm një rast i konfirmuar me virusin e rrezikshëm. /Opinion.al