Policia e Maliqit ka arrestuar dy persona të cilët dyshohen se kanë abuzuar seksualisht me një të mitur.
Sipas informacioneve nga policia në pranga kanë rënë një 41 vjeçar dhe një 26 vjeçar. Ndaj 26-vjeçarit rëndon akuza e ‘shfrytëzimit të prostitucionit’ pasi nga hetimet dyshohet se e shfrytëzonte 16-vjeçaren, për prostitucion.
Vajza ka qënë ajo që ka rrëfyer të gjithë ngjarjen në polici pas denoncimit që ka bërë nëna e saj.
‘S. H., 41 vjeç, banues në fshatin Leminot, Maliq, për veprën penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”. Gjatë veprimeve të kryera në prezencë të psikologut, prindit dhe mbrojtësit ligjor, 16-vjeçarja ka kallëzuar se në muajin qershor të vitit 2024, ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të dhe i ka dhënë para;
M.B., 26 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, pasi nga veprimet hetimore të kryera për këtë rast, dyshohet se e shfrytëzonte 16-vjeçaren, për prostitucion.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.’- njofton policia.