Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka reaguar ditën e sotme për zërat e shumtë lidhur me vaksinën e AstraZeneca se shkakton mpiksje gjaku.
Nëpërmjet një postimi të gjatë në “Facebook”, referuar të dhënave zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Brataj iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen, në mënyrë që të jenë të mbrojtur nga koronavirusi, teksa e cilëson vakinën si të sigurt.
Mes të tjerash, Brataj iu përgjigjet përmes të dhënave të OBSH shumë pyetjeve kyçe, që shqetësojnë qytetarët, ndërsa thekson se vaksina është efektive 82% pas dozës së dytë.
Në postim shkruhet ndër të tjera “Ekspertët thonë se numri i efekteve anësore si mpiksja e gjakut të raportuara pas vaksinës, nuk është më shumë se sa rastet e raportuara zakonisht, edhe në kushte normale. Rreth 17 milionë njerëz deri në këtë moment në Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe kanë marrë të paktën një dozë të kësaj vaksine, e megjithatë rastet janë vetëm 40 persona.”
“Çfarë thonë OBSH dhe ekspertët e tjerë në lidhje me vaksinën AstraZeneca?
Zëdhënësi i OBSH, Christian Lindmeier, tha se ekspertët e tyre po hetojnë raportet e vaksinës AstraZeneca dhe janë në pritje të një përgjigjeje, por megjithatë, shtuan se deri më tani nuk ka asnjë provë që vaksina shkakton mpiksje të gjakut ose trombozë.
Sapo OBSH të ketë një tablo më të detajuar të raporteve të vaksinës AstraZeneca, do ia transmetojë menjëherë publikut. Vlen për t’u theksuar se deri më tani, nuk ka asnjë provë që kjo vaksinë shkakton mpiksje të gjakut. E rëndësishme është që fushata e vaksinimit për këtë vaksinë të vazhdojë dhe të shpëtojmë sa më shumë jetë nga COVID-19.
Shoqata Evropiane e Mjekëve, e cila gjithashtu po kryen një investigim në lidhje me vaksinën AstraZeneca, theksuan se fushata e vaksinimit duhet të vijojë, pasi sipas tyre nuk ka prova se kjo vaksinë shkakton mpiksje të gjakut.
Çfarë masash po merren?
Vendimi i Gjermanisë për të pezulluar injektimin e vaksinës AstraZeneca, erdhi një ditë pas Holandës, e cila ka deklaruar se pezullimi do të zgjasë të paktën deri më 29 mars. Gjithashtu edhe Irlanda, Danimarka, Norvegjia, Bullgaria dhe Islanda kanë ndaluar përkohësisht injektimin e vaksinës, ndërsa Republika Demokratike e Kongos dhe Indonezia kanë shtyrë fillimin e shpërndarjes së tyre. Disa vende evropiane, përfshirë Italinë dhe Austrinë, kanë pezulluar përdorimin e grupeve të caktuara të vaksinës, si një masë paraprake. Spanja e ka pezulluar për një periudhë 2 javore.
AstraZeneca ka thënë se ka rishikuar me kujdes të dhënat për 17 milionë njerëz që kanë marrë këtë vaksinë në Europë. Nga ta, ka thënë AstraZeneca, 40 persona kanë pasur probleme me mpiksje gjaku. Sipas saj, “nuk ka prova të rrezikut në rritje” për mpiksje gjaku në ndonjë grupmoshë apo gjini.
A ka prova se vaksina është përgjegjëse?
Jo. Agjencia Evropiane e Barnave ka thënë se nuk ka “asnjë tregues se vaksinimi i ka shkaktuar këto rrethana”.
Rregullatori i Bashkimit Evropian ka thënë se numri i raporteve për mpiksje gjaku te njerëzit e vaksinuar me AstraZeneca, nuk është më i lartë se tek ata që nuk janë vaksinuar.
Në Britaninë e Madhe, ku janë administruar 11 milionë doza të vaksinës AstraZeneca – më shumë se në çdo vend tjetër – ka pasur raporte për rreth 11 persona që kanë pësuar trombozë(mpiksje gjaku), pasi janë vaksinuar. Asnjë prej këtyre rasteve nuk është dëshmuar se është shkaktuar nga vaksina. Trombozat që formohen në krahë, këmbë ose diku tjetër, ndonjëherë mund të shkëputen dhe të shkojnë në zemër, tru ose mushkëri, duke shkaktuar goditje në tru, sulme në zemër ose bllokime vdekjeprurëse.
Atëherë, pse është pezulluar vaksinimi?
Sa herë që vaksinat shpërndahen gjerësisht, shkencëtarët presin që të raportohen rezultatet shëndetësore dhe nëse ka vdekje – thjesht, sepse miliona njerëz marrin doza dhe problemet pritet të ndodhin rastësisht. Shumica dërrmuese e këtyre problemeve dalin se nuk janë të lidhura me vaksinën, por pasi vaksinat kundër koronavirusit janë ende në fazën e studimeve klinike dhe nuk ka të dhëna afatgjata, shkencëtarët duhet t’i hetojnë të gjitha efektet anësore të vaksinës.
“Njerëzit vdesin çdo ditë dhe ne kemi më shumë se 300 milionë njerëz në të gjithë botën që janë imunizuar, e që do të vdesin nga shkaqe të tjera”, tha Mariangela Simao, ndihmëse e drejtorit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
A ka shqetësime të ngjashme me vaksinat e tjera kundër koronavirusit?
Agjencia Europiane e Barnave aktualisht po shqyrton nëse vaksinat e bëra nga Pzer/BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca mund të shkaktojnë nivele të ulëta të trombozave te disa pacientë – një gjendje kjo që mund të çojë në mavijosje dhe gjakderdhje.
A ka probleme të tjera AstraZeneca?
Vaksina është miratuar për përdorim te të rriturit në më shumë se 50 vende dhe ka dalë të jetë e sigurt dhe efektive gjatë kërkimeve të bëra në Britani, Brazil dhe Afrikë të Jugut. Por, ka pasur disa shqetësime për të dhënat nga vaksina dhe disa vende europianë, kanë vënë në dyshim efektivitetin e vaksinës te njerëzit e moshuar, për shkak të mungesës së informacioneve. Britania e ka autorizuar e para vaksinën, duke u bazuar në rezultate të pjesshme, që kanë sugjeruar se ajo është 70% efektive. Por, EMA, kur ka rekomanduar licencimin e vaksinës, ka vlerësuar se efikasiteti i saj është rreth 60%. Të dhënat nëse vaksina mbron të moshuarit kanë qenë të paplota dhe kjo ka bërë që disa vende europiane fillimisht t’i përjashtojnë të moshuarit nga vaksinimi me AstraZeneca.
Çfarë rekomandojnë ekspertët?
OBSH dhe EMA – si dhe rregullatorët në disa vende – kanë thënë se njerëzit duhet të vazhdojnë të imunizohen. “Siguria e publikut do të jetë gjithmonë e para. Njerëzit duhet të shkojnë dhe të marrin vaksinën e tyre kundër koronavirusit, kur atyre u kërkohet ta bëjnë këtë”, ka thënë rregullatori i barnave në Britani.
Efektet anësore
Efektet anësore ndryshojnë nga personi në person, por disa nga efektet më të përhapura janë:
1. Dhimbje koke
2. Ethe
3. Dhimbje trupi
4. Dridhje
5. Dhimbje në vend injeksionin
Sa efektive është vaksina e AstraZeneca kundër varianteve të tjera të virusit?
Vaksina e AstraZeneca është zbuluar të jetë 76% efektive kundër koronavirusit origjinal pas dozës së parë. Kur jepet një dozë e dytë, 12 javë ose më shumë pas dozës së parë, efikasiteti rritet në 82%. Vaksina gjithashtu është zbuluar se zvogëlon kohëzgjatjen e ngarkesës virale, e cila mund të ngadalësojë transmetimin e virusit.
Një studim i vaksinës së AstraZeneca kundër variantit B.1.1.7, i raportuar së pari në Mbretërinë e Bashkuar, zbuloi se efikasiteti ishte i ngjashëm me efikasitetin kundër virusit origjinal.
A duhet ta merrni vaksinën e AstraZeneca nëse ju ofrohet?
OBSH ka rekomanduar përdorimin e vaksinës së AstraZeneca për personat e moshës 18 vjeç e lart, edhe nëse ekzistojnë variante të koronavirusit, sipas rekomandimeve të përkohshme.
Edhe nëse merrni një nga variantet e virusit që u gjet për herë të parë në Afrikën e Jugut (i njohur si B.1.351 ose 501Y.V2), Mbretërinë e Bashkuar (B1.1.1.7) ose Brazil (P.1), vaksina e AstraZeneca do t’ju mbrojë. Kjo sepse të gjitha këto janë variante të llojit origjinal të koronavirusit, për luftimin e të cilit është zhvilluar vaksina. Nuk do të jetë në gjendje të njohë pjesët që kanë mutuar, por do të jetë në gjendje të njohë pjesën tjetër.
A është e sigurt vaksina e AstraZeneca për përdorim nga të gjitha moshat?
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar përdorimin e vaksinës AstraZeneca për njerëzit nga mosha 18 vjeç e lart, duke përfshirë edhe ata që janë 65 vjeç e lart. “Duke marrë parasysh tërësinë e provave të disponueshme, OBSH e rekomandon vaksinën për përdorim edhe për persona të moshës 65 vjeç e lart,” shkroi OBSH në rekomandimet e tij të përkohshme për vaksinën AstraZeneca.
Agjencia Europiane e Barnave gjithashtu ka raportuar se vaksina e AstraZeneca mund të përdoret për të parandaluar sëmundjen tek njerëzit e moshës 18 vjeç e lart.
Kush po i prodhon vaksinat e AstraZeneca?
Vaksina është duke u zhvilluar dhe prodhuar nga një ekip nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania farmaceutike Britanike-Suedeze AstraZeneca. Ekipi hulumtues përfshin shkencëtarë nga Instituti Jenner dhe Grupi i Vaksinave të Oksfordit.
Çfarë lloj vaksine është AstraZeneca dhe si funksionon?
Vaksina e AstraZeneca nuk është një vaksinë mRNA si Moderna dhe BioNTech-Pfizer, por një vaksinë e virusit vektor. Ajo përdor si mekanizëm transporti i një virusi të zakonshëm dhe të padëmshëm që gjendet tek shimpanzetë. Vaksina transporton proteinën sipërfaqësore të SARS-CoV-2 në qelizat njerëzore, ku shkakton një përgjigje imune kundër koronavirusit.
Përse është kaq tërheqëse vaksina e AstraZeneca?
Ndryshe nga vaksinat BioNTech-Pfizer dhe Moderna, AstraZeneca nuk ka pse të ruhet në temperatura të ulëta. Vaksina mund të ruhet, transportohet dhe trajtohet në temperatura normale të ftohjes (2-8 gradë Celsius / 36-46 gradë Fahrenheit) për të paktën gjashtë muaj.
Sipas AstraZeneca, zinxhiri i thjeshtë i furnizimit të vaksinës dhe zotimi pa fitim do ta bëjë atë më të volitshëm, por çmimi i saktë i një doze të vaksinës AstraZeneca nuk është i qartë.
AstraZeneca dhe BioNTech-Pfizer kanë bërë marrëveshje me COVAX, një iniciativë globale që synon shpërndarjen e vaksinave me kosto të ulët në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Në një tëeet i cili tashmë është fshirë, sekretarja e shtetit belg Eva De Bleeker publikoi çmimet e supozuara të BE-së për dozë: 15€ (18 dollarë) për Moderna, 12€ për BioNTech-Pfizer dhe 1.78 € për AstraZeneca.
Mund të jetë luftë prodhuesish dhe çmimesh?? Koha do të vërtetojë!
Këshilla? Vaksinohuni për tu mbrojtur nga Covid-19.
Dr. Skender Brataj”- citohet në postim./Opinion.al