Tirana kthehet në fushë pas pushimit në mesjavë dhe në Durrës luan një ndeshje me rrezikshmëri të lartë, sepse renditja është bërë alarmante. Ekipi është në vendin e tetë, me vetëm tre pikë më shumë se Kastrioti i vendit të parafundit. Në konferencën për shtyp para ndeshjes që do të luhet nesër, trajneri Ardian Mema ka hedhur dyshime për manipulime të mundshme, duke thënë se disa ekipe fitojnë shumë lehtë.
“Në disa ndeshje kundërshtarët i kanë fituar më lehtë sesa ne, edhe në ndeshje shumë të forta në letër. Është e çuditshme po të shohësh disa ndeshje, golat shënohen në mënyrë të çuditshme, por nuk dua që t’i jap alibi skuadrës. Në duhet të sillemi shumë mirë në fushë, të bëjmë detyrën vetë, pastaj të shohim ndeshjet e tjera”, ka thënë Mema.
Ai u shpreh se në ndeshjen me Teutën, Tirana nuk do të kënaqet me një barazim, por do të synojë fitoren./Opinion.al