Sport

Dyfishohet numri i futbollistëve me simptoma depresioni gjatë karantinës


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 21:00 - 20/04/20 |
Al Do

Numri i futbollistëve që raportojnë simptoma të depresionit është dyfishuar që kur sporti u mbyll për shkak të Covid-19, sipas një studimi të sindikatës globale të lojtarëve, Fifpro. Simptomat e ankthit janë rritur gjithashtu për shkak të ndikimit afatgjatë që mund të ketë koronavirusi në komunitetin e futbollit.

Studimi i Fifpro-s përfshiu 1,602 lojtarë profesionistë dhe u zhvillua nga 22 Marsi deri në 14 Prill. Ai zbuloi se 22 % e 468 lojtarëve femra dhe 13 % e 1,134 lojtarëve meshkuj, raportuan simptoma në përputhje me një diagnozë të depresionit. Ai gjithashtu zbuloi se 18% e grave dhe 16% e burrave raportuan shenja ankthi.

Futbollistët e anketuar ishin nga Anglia, Skocia, Republika e Irlandës dhe 13 vende te tjera. Fifpro tha që lojtarët që ndjeheshin të shqetësuar për të ardhmen e tyre në futboll, ishin dukshëm më të prirur të shfaqnin shenja depresioni ose simptoma ankthi. Megjithëse futbollistët e nivelit të lartë mund të gjenden të sigurt financiarisht, kohëzgjatja mesatare e kontratave në nivel global, është më pak se dy vjet kështu që shumica e përjetojnë me frikë rënien ekonomike.

Pasiguria ekonomike mund të shpjegojë pjesërisht rritjen e simptomave të depresionit, por faktorë të tjerë mendohet se kanë rol të madh. Mosha mesatare e të anketuarve ishte 26, në mesin e lojtarëve meshkuj, dhe 23 në mesin e lojtarëve femra. Shumë futbollistë janë të rinj dhe jetojnë, në shumicën e rasteve vetëm, në vende të huaja, pa familjen e tyre pranë.

Më shumë se 75% e të anketuarve thanë se kishin mbështetje për të ndihmuar në shëndetin e tyre mendor. Fifpro është duke zhvilluar një paketë masash për shëndetin mendor për të siguruar kujdesin bazë për futbollistët.

Nuk ka asnjë sugjerim nga Fifpro që shqetësimet e anëtarëve të tij janë më të rënda se ato të njerëzve në zona të tjera. Përkundrazi, ai beson se rezultatet e sondazhit – të bëra me Qendrën Mjekësore të Universitetit të Amsterdamit – janë një pasqyrim i problemeve të shoqërisë dhe konfirmon që një numër i madh i futbollistëve preken në mënyrë të ngjashme.

‘Këto gjetje … nënvizojnë se sa e rëndësishme është që futbollistët të punojnë së bashku gjatë këtyre kohërave të pasigurta, duke arritur në marrëveshje kolektive që ruajnë stabilitetin shoqëror dhe lehtësojnë presionin për të gjithë punonjësit e industrisë, përfshirë lojtarët,’- tha sekretari i përgjithshëm i Fifpro, Jonas Baer –Hoffmann.

Baer-Hoffmann theksoi se Fifpro nuk po përdorte rezultatet e sondazhit, si një argument për të nxitur  rifillimin e sezonit të futbollit. Vetëm një rinisje në një mjedis të sigurt, në të cilin lojtarët ndjehen të qetë dhe të sigurt, do të zvogëlonte shqetësimet që mund të kontribuojnë në depresion dhe ankth.-  tha ai. /Opinion.al

Pas