Aktualitet

Dy anëtarë të Kushtetueses votohen të hënën


               Publikuar në : 14:42 - 09/11/19 |
geliano fataj

Pavarësisht qëndrimit të presidentit Ilir Meta, mazhoranca është e vendosur të plotësojë gjykatën Kushtetuese, duke votuar të hënën dy anëtarët e rinj. Këtë e bëri të ditur kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, gjatë fjalës së mbajtur në një takim në Tiranë.

“Ne përmbyllim ditën e hënë fazën e parë të plotësimit të vakancave në gjykatën kushtetuese, Kuvendi do të zgjedhë dy anëtarët e Kushtetueses të hënën. Për të mundësuar që deri në fund të janarit Kuvendi të ketë zgjedhur edhe anëtarin e tretë të gjykatës Kushtetuese që i takon Kuvendit të Shqipërisë. Ky është hap i rëndësishëm për të mundësuar që brenda pranverës ajo të jetë funksionale”, tha Balla.

Pak ditë më parë, në limitet e afateve të përcaktuara nga Kushtetuta për të zgjedhur anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës ka kërkuar pezullimin e procesit.

Në një letër drejtuar Kuvendit, kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe Avokates së Popullit, kreu i shtetit kërkon që të jetë parlamenti i pari institucion që të përzgjedhë në listën me tre kandidatë, të dërguar nga KED, për të plotësuar vakancën e parë dhe më pas të jetë Presidenti.

Meta thotë se ai e ka përzgjedhur një kandidat, duke dekretuar Besnik Muçin, si anëtarin që plotësonte vakancën e krijuar nga dorëheqja e Sokol Berberit. Muçi ndërkohë është në proces vettingu.

Dhe sipas tij, me kërkesën për të zgjedhur ai i pari anëtarin tjetër, KED ka shkelur procedurën. Kushtetuta përcakton që si parlamenti ashtu dhe Presidenti, brenda 30 ditëve nga marrja e emrave të kandidateve të listuar në bazë të vlerësimit nga ai maksimali të përzgjedhin anëtarin që ata vlerësojnë. Anëtarët e përzgjedhur nga parlamenti duhet të marrin 84 vota.

Në të dyja rastet, si për Presidentin, si për Kuvendin, në rast se nuk përzgjidhen ose nuk arrihen kuorumi prej 84 votash, automatikisht një ditë pas afatit 30 ditor, kandidati i parë në listë bëhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese./ Opinion.al

Pas