Aktualitet

Dvorani përfundon dëshminë në Prokurori: Jam i gatshëm të përballem….


               Publikuar në : 13:15 - 11/12/19 |
Al Do

Ka përfunduar pas 3 orësh, marrja në pyetje e Ardian Dvoranit në Prokurorinë e Tiranës.

Në dalje të prokurorisë, ai tha për mediat se ka bërë parashtrimet e tij për faktet dhe se pret që prokuroria të bëjë hetimin.

“Për këtë situatë është prokuroria që do të bëjë hetimin dhe sipas ligjit do të bëjë vlerësimet. Unë nuk mund të flas me detaje, hetimi nuk zhvillohet as në televizione dhe në media. Kam bërë parashtrimet e fakti se si kanë ndodhur ngjarjet.”

Sa i përket deklaratave të Presidentit Meta për materiale filmike që mund të komprometojnë figurën e tij, kreu i KED tha se çështjet është mirë të shtrohen në rrugë institucionale.

“Funksionarët publik nuk është mirë ti shtrojnë çështjet me filma artistikë por në rrugë institucionale.”

I pyetur mbi mbarëvajtjen e KED nëse emri i tij regjistrohet tek procedimet penale, Dvorani tha se ligji është i qartë çka do të thotë se ai nuk mund të jetë më anëtar i këtij institucioni.

“Nëse ndodh, ligji është i qartë pengohem të ushtroj funksionin. Mendoj se ka zgjidhje për KED. Prokurorët janë duke kryer verifikimet. Nuk kam asnjë autoritet dhe mundësit të pengoj hetimet. Nuk ka asgjë për tu mburrur që të thuash që unë u paraqita te prokurori. Ky hetim nuk më ka vendosur në asnjë pozitë të vështirë. “, tha Dvorani.

I pyetur në cilësinë e kreut të Gjykatës së Lartë, ai njoftoi se numri i dosjeve të pashqyrtuara në Gjykatë ka arritur në 35 mijë.

Në ditët në vijim pritet që prokuroria të marrë në pyetje edhe ish-Prokuroren e Përgjithshme, Arta Marku, anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha dhe Fatjona Memçajn, të cilat janë anëtare të KED.

Një ditë më parë, Presidenti Meta u paraqit në prokurori ku u pyet për këtë çështje për rreth një orë. Ai u shpreh për mediat se prokuroria ka aktualisht prova të mjaftueshme për hetimin ndaj Dvoranit dhe nënvizoi se rasti është tepër flagrant dhe se ky proces do të jetë një provë për të ardhmen e reformës në drejtësi.

Më 19 nëntor, Presidenti firmosi kallëzimin penal ndaj kreut të KED, Ardian Dvorani, të cilin ai e akuzon për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore. Përplasja e Presidentit dhe kreut të KED erdhi pas procesit të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Metës , KED është përpjekur ti marrë atij kompetencën për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duke i dërguar njëherësh dy lista me kandidatë, pa respektuar sipas tij radhën e parashikuar në Kushtetutë. Nga ana e tij Dvorani ka mohuar akuzat dhe ka thënë se Presidenti po ushtron një të drejtë që Kushtetuta dhe ligji ia njeh kujtdo. /Opinion.al

Pas