Konferenca e Kryetarëve është shoqëruar me debate mes opozitës dhe mazhorancës. Deputetja e PD, Grida Duma kërkoi edhe një herë që t’i jepet opozitës e drejta e propozimit të emrit të kandidatit për president dhe mazhoranca ta votojë si të dojë.
“Nuk iu ka përjashtuar njeri nga procesi se në fund ju e zgjidhni vetë. Por keni pasur propozimin: jepjani kandidatin opozitës, shkoni votojeni dhe hidheni poshtë. Por që ne të jemi fasada këtu që me kriteret tona ju të nxirrni Presidentin dhe ta votoni dhe të talleni, këtë ta harroni. Unë jam me logjikën të mos e shpejtojmë. Të enjten bëni seancën, të vijmë me një emër nga opozita dhe bëjeni edhe kundër po të doni. Kandidati i qëndron opozitës, votoni standardin e kandidatit tonë. Në rast se nuk e votoni, votat pastaj i keni në xhepa dhe e votoni”,-tha Duma.
Ndërsa ministrja, Elisa Spiropali u shpreh se Alibeaj e Duma thonë e kërkojnë gjëra të ndryshme, eddhe pse janë nga i njëjti krah. Ndër të tjera Spiropali, u shpreh e gatshme që të votojë emrin e opozitës duke thënë “bujrum, silleni emrin”.
“Alibeaj thotë diçka, pastaj Duma thotë diçka tjetër. Pastaj ajo që thotë Mediu që kishte kuptim dhe ishte e arsyeshme. Kur vini përballë nesh duhet të bini dakord se çfarë doni prej nesh. Alibeaj tha se është e rëndësishme se si hyn në këtë proces, por më e rëndësishme është se si del nga ky proces. Ju ende nuk keni hyrë në proces, keni çuar vetëm letra. Ju folët për një sfidë të kulturës së vjetër të pazareve dhe skutave, por nuk dhatë asnjë shembull. Ju sërish paraqisni kushte dhe nuk e sfiduat këtë kulturë. Ju nuk e keni detyrim ndaj nesh ardhjen në konferencë kryetarësh. E keni detyrim ndaj atyre që iu kanë votuar. Meqë po flasim për procese dhe vullnete, letrat nuk i zëvendësojnë proceset. Duma tha të sjellim emrin të enjten. Bujrum, silleni emrin por bini dakord për datat kur do t’i sillni”,-tha Spiropali.