Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, në raportimin e tij vjetor në Kuvend, është pyetur sot nga deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, për mungesën e hetimeve ndaj fenomenit të patronazhistëve të përfshirë në zgjedhjet e kaluara, sipas tij.
Në fjalën e tij, Dumani theksoi se “patronazhimi” si term nuk ekziston në Kodin Penal, por sqaroi se çdo veprim që përfshin premtime për favore në këmbim të votës, përbën vepër penale.
“Në momentin që patronazhisti premton legalizim shtëpie, para apo regjistrim të pronës në hipotekë, këtu nuk kemi patronazhim, por korrupsion aktiv apo pasiv në zgjedhje. Në Kod Penal nuk kemi një vepër ku të thuhet ‘patronazhimi’. Penalizojeni si Kuvend dhe ne ushtrojmë ndjekjen penale,” deklaroi Dumani.

















