Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar klubet shqiptare, në prag të ndeshjeve kualifikuese në Europë.
Në postimin e tij, Duka shkruan se përfaqësimi dinjitoz në Europë është shumë i rëndësishëm, për financat e klubit dhe për të treguar nivelin e kampionatit.
Sipas tij, klubet duhet të bëjnë maksimumin për të kaluar sa më shumë ture, për të synuar edhe fazën e grupeve.
“Dua t’u uroj suksese klubeve tona në kupat e Europës! Egnatias, që nis e para rrugëtimin në kualifikueset e Champions League, e për të vijuar me Partizanin dhe Vllazninë në turin e parë të Conference League, si dhe Dinamo City që do e nisë nga turi i dytë rrugëtimin e saj europian.
Është shumë e rëndësishme për të gjitha klubet, por edhe për futbollin shqiptar, një përfaqësim dinjitoz në Kupat e Europës, qoftë për financat, qoftë për të treguar nivelin e kampionatit.
Ndaj i inkurajoj të gjitha klubet të bëjnë maksimumin e tyre për të kaluar sa më shumë ture e pse jo për t’u përfaqësuar sërish në fazën e grupeve të kompeticioneve europiane”, shkruan Duka.
Egnatia nis e para rrugëtimin, pasi përballet me Breidablik, në turin e parë kualifikues të Champions League, me ndeshjen që është planifikuar të martën e 8 korrikut.