Dy persona të arrestuar, armë zjarri, municion luftarak dhe kanabis ishte bilanci i operacionit “Eagle” të organizuar nga policia e Kukësit.
Sipas burimeve zyrtare, në pranga kanë rënë A. E., 24 vjeç dhe M. M., 33 vjeç, banues në Kukës.
Policia ka ndaluar fillimisht mjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin A. E. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij, u gjetën një armë zjarri tip kallashnikov, 3 karikator, 81 fishekë dhe 350 gramë lëndë narkotike kanabis.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi A. E. ia ka blerë lëndën narkotike shtetasit M. M.
Në vijim të operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit M. M., në fshatin Gabrice, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pushkë, 19 fishekë, 525 gramë kanabis si dhe një sasi parash.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”./ Opinion.al