Dy vëllezër janë arrestuar në Lezhë, pasi në banesat e tyre janë gjetur një sasi municionesh dhe lëndë narkotike.
Mësohet se në banesën e 46-vjeçarit, në fshatin Skuraj, u gjetën mbi 9 kilogramë kanabis dhe 1 armë gjahu, që ky shtetas e posedonte pa leje.
Ndërkohë në banesën e vëllait tjetër u gjetën 1 armë zjarri pushkë, 85 kapsolla detonatore, 1 armë gjahu dhe një sasi municioni luftarak.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe me Komisariatin e Policisë Kurbin, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një rast në fushën e narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Hideout”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
A. F., 46 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, në fshatin Skuraj, Kurbin, u gjetën 9 kilogramë e 810 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe 1 armë gjahu, që ky shtetas e posedonte pa leje;
L. F., 52 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, në fshatin në fshatin Skuraj, Kurbin, u gjetën 1 armë zjarri pushkë, 85 kapsolla detonatore, 1 armë gjahu dhe një sasi municioni luftarak, të cilat ky shtetas i posedonte pa leje.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtyre dy shtetasve”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme./Opinion.al