Tre persona që shisnin lëndë narkotike në zonën e Kamzës janë vënë në pranga nga policia.
Bëhet fjalë për: K. A., 23 vjeç dhe L. Ç., 59 vjeç, të dy banues në Kamëz dhe M. N., 48 vjeç, banues në Valias.
Efektivët e Policisë kanë lokalizuar në Kamëz, shtetasit K. A. dhe L. Ç., të cilëve, gjatë kontrollit fizik, iu kanë gjetur sasi lënde të dyshuara narkotike kanabis.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas e siguronin lëndën narkotike nga shtetasi M. N. dhe pasi e ndanin në doza, i shisnin ato në zona të ndryshme të Kamzës.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. N., shërbimet e Policisë gjetën 3 kg e 100 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 1 armë zjarri automatik dhe municion luftarak.
Lënda narkotike, arma e zjarrit dhe municioni luftarak u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.