Ditën e sotme pritet të përfundojë procesi i rinumërimit të votave për qarkun e Tiranës. Vetëm dy qendra votimi kanë mbetur për t’u rinumëruar.
Edhe pse ka qenë kërkesa e Partisë Demokratike – Koalicioni për Shqipërinë Madhështore, që të zhvillohei procesi i rinumërimit, me pretendimin se ka pasur parregullsi, ka qenë ky subjekt politik që ka humbur më shumë vota.
Deri më tani, Partia Demokratike ka humbur mbi 590 vota, ndërsa Partia Socialiste mbi 370 të tilla. Këto janë numra të konsiderushme të votave të pamerituara, por një pjesë e kandidatëve kanë hedhur akuza ndaj KAS për mënyrën se si janë vlerësuar fletët e votimit. Një prej tyre është Erion Braçe nga radhët rozë, ndërsa nga ato blu, Ilir Alimehmeti. Këta të dy, e kanë lidhur fenomenin e humbjes së votave me ndryshimin që KAS-i ka bërë në numërim, duke akuzuar se janë quajtur si të pavlefshme fletët e votimit.
Ndryshimet e bëra në numrat e votave, janë konsideruar si gabime njerëzore. Sakaq, nuk ka ndryshim mandatesh në asnjë prej subjekteve politike. /tvklan.al