Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas mbërritjes në Tiranë të draftit paraprak të Komisionit të Venecias mbi emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Balla shkruan në rrjetet sociale se për këtë draft është kërkuar nga ana e “Venecias” që të ruhet konfidencialiteti.
Balla ka theksuar se deri në marrjen e Opinionit përfundimtar zyrtar, dekreti i rikthyer nga presidenca nuk do të diskutohet dhe as shqyrtohet në Kuvend, për të respektuar deri në fund Komisionin e Venecias.
Sipas tij, shpërndarja e copëzave apo fjalive të veçanta në raste të mëparshme të drafteve paraprake ka dëmtuar kredibilitetin e procesit të konsultimit me Komisionin e Venecias.
LEXO EDHE: Mbërrin raporti “Venecias”, çfarë thuhet për shkarkimin e Metës
“Komisioni i Venezias na ka vene ne dizpozicion nje “draft paraprak” te Opinionit “Mbi emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, per te cilin na eshte kerkuar nga ana e tyre te ruajme strikt konfidencialitetin dhe te mos bejme asnje koment, sepse drafti eshte derguar per tu konsultuar dhe komentuar nga palet. Shperndarja e copezave apo fjalive te vecanta ne raste te meparshme te drafteve paraprake ka demtuar kredibilitetin e procesit te konsultimit me Komisionin e Venecias. Prandaj ne do te ndjekim ne menyre strikte agjenden dhe respektojme kerkesen per konfidencialitet prej vete Komisionit te Venecias deri ne miratimin e nje opinioni final zyrtar. Nderkohe ekspertet tane do te pergatisin komentet sipas kerkeses se vete procesit, per reflektimet e pretendimeve te paleve ne Opinionin Perfundimtar. Kjo do te thote po ashtu, se deri ne marrjen e Opinionit perfundimtar zyrtar, dekreti i rikthyer nga presidenca nuk do te diskutohet dhe as shqyrtohet ne Kuvend, per te respektuar deri ne fund Komisionin e Venecias”,-shkruan Balla.
Sipas informacioneve, në raport thuhet se nuk ka bazë për shkarkimin e Presidentit. Në pikën 104 të draftit të raportit shpjegohet; “Sipas analizës së bërë më lart, veprimet e Presidentit janë në përputhje me një interpretim të arsyeshëm të Kushtetutës. Duke marrë parasysh interpretimin e nenit 179 të Kushtetutës, cituar më lart, veprimet e ndërmarra nga presidenti (dhe zyra e tij) janë në përputhje me interpretimin e arsyeshëm të Kushtetutës. Kështu që nuk ka bazë për shkarkimin e Presidentit”,-/ Opinion.al