Ylli Manjani dhe Klajda Gjosha, dy nënkryetarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë dhënë sot dorëheqjen nga posti i tyre në këtë parti.
Në vend të tyre u zgjodhën Kejdi Mehmetaj dhe Endrit Braimllari, vendim që vjen sot nga Komiteti Drejtues Kombëtar i LSI, që miratoi gjithashtu edhe ndarjen e funksioneve ministrore nga to partiake.
Më 30 tetor 2016, LSI do të mbajë zgjedhjet për kryetarin e saj, ndërkohë që nuk ka ende një emër se kush do të garojë përballë Ilir Metës.
Në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes, kryetari i LSI-së Ilir Meta ndau me anëtarët e KDK-së disa qëndrime për disa nga çështjet më të rëndësishme të aktualitetit politik, ku në radhë të parë mbetet Reforma në Drejtësi derisa ajo të miratohet.
Meta theksoi edhe njëherë qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për reformën në drejtësi, ndërsa përshëndeti deklaratën e Komisionerit për Zgjerimin të Bashkimit Europian, Hahn, i cili vlerësoi punën e rëndësishme që është kryer nga ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë, nxit gjithë klasën politike shqiptare që të miratojë paketën kushtetuese për reformën në drejtësi