Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka ka reaguar pas dorëheqjes së Elvis Rroshit nga posti i Bashkisë së Kavajës.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Paloka thotë se Kryeministri Rama e dinte për dënimin e Rroshit në Itali dhe përsëri vendosi ta kandidonte.
Deklarata e kreut të grupit të PD Edi Paloka
Edhe më tronditëse bëhet e vërteta rreth të shkuarës kriminale të Roshit të Ramës, modelit të Edi Ramës për bashkitë.
Dëshmia e penalitetit që është publikuar sot, e ardhur nga Ministria e Drejtësisë Italiane, thotë se Elvis Roshi është dënuar për “violenza karnale”, që do të thotë është dënuar për përdhunim.
Pra Roshi që e fsheh, dhe shefi i rilindjes që i del në mbrojtje, mbulojnë një krim të tmerrshëm të kryer nga i zgjedhuri i Ramës.
Dhe Edi Rama e njeh italishten. E megjithëse e di, që ka vënë pos të tjerash edhe një përdhunues si kryetar bashkie në Kavajë, u kërkon sot socialistëve të dalin në një demostratë në qytet për ta mbrojtur atë.
Rama u thotë socialistëve të dalin të mbrojnë përdhunuesin.
Demonstratën do ta udhëheqë Gentjan Daja, i dënuar për trafik droge, ushtar i Roshit, të cilin Rama e ka caktuar në krye të PS-së së Kavajës.
I poshtëroi duke ua vënë Roshin kryetar bashkie, i poshtëroi duke u vënë kryetar partie të dënuarin për drogë, po i poshtëron edhe më shumë sot duke i kërkuar të mblidhen në shesh në mbrojtje të përdhunuesit. Ky është Edi Rama. Ky është modeli i tij. Këto janë standardet e tij.