Policia ka identifikuar autorët e djegies së automjetit të një 30-vjeçareje, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në rrugën “Belul Hatibi”.
Mësohet se policia ka shpallur në kërkim 3 autorët e dyshuar të rastit, të cilët dyshohet se janë shtetas maqedonas dhe kosovarë.
”Si rezultat i hetimeve të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, mbi djegien e automjetit të shtetases P. K., 30 vjeçe, kryer rreth orës 04:00 të datës 16.04.2025, në rrugën “Belul Hatibi”, u zbardh autorësia e këtij krimi.
Konkretisht, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim si autorë të dyshuar, shtetasi maqedonas A. S., 65 vjeç, si dhe shtetasit kosovarë, A. S., 37 vjeç dhe F. B., 40 vjeç, të tre banues në Kosovë. Nga hetimet dyshohet se krimi u krye për motive të dobëta”, njofton policia.
Policia po punon intensivisht për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe po hetohet për të identifikuar dhe kapur shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.