Në Doganën e Durrësit po zbatohen masat për përmirësimin e procesit të skanimit të mjeteve, për t’u ardhur në ndihmë si biznesit, ashtu edhe qytetarëve, në kulmin e sezonit turistik.
Kjo ka bërë që të ulet ndjeshëm koha e përpunimit të deklaratave doganore, por edhe numri i skanimeve, çka ka bërë që i gjithë ky proces të zgjasë vetëm 3 minuta.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, zhvilluan një vizitë inspektuese pranë skanerit të Portit të Durrësit. Atje gjatë tre muajve të fundit është shënuar një ulje e ndjeshme e numrit të skanimeve.
“Këto janë masa të domosdoshme, që shkojnë drejt modernizimit të administratës doganore dhe përputhjes së proceseve të punës me standardet e Bashkimit Europian. Një doganë e shpejtë, transparente dhe e besueshme është thelbësore për të arritur objektivat tona dhe për t’u afruar më shpejt me standardet e BE-së”, u shpreh nga ana e tij, Ministri i Financave, Petrit Malaj.
Ndërkohë drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli tha se çdo vit Porti i Durrësit përpunon rreth 15% të volumit total të import–eksporteve, duke qenë pika më e rëndësishme kufitare në këtë drejtim.