Një konflikt në ALUIZNI-n e Kukësit për pak sa nuk ka përfunduar në tragjedi. Sipas informacionit që jep policia, një person pasi është konfliktuar me drejtorin e ALUIZNI-t në Kukës Vladimir Spahiu, për shkak të detyrës, ka shkuar në shtëpi për të marrë çiften e për të qëlluar mbi të.
Policia ka marrë në kohë informacionin, duke arrestuar në flagrancë 40-vjeçarin P.H. Sipas policisë, 40-vjeçari çiften e posedon me leje, teksa akuzohet për kanosje për shkak të detyrës dhe prishje të rendit e qetësisë publike
“Nga veprimet hetimore rezulton se shtetasi P.H., ka kërcënuar shtetasin V.S., vjeç 46, banues në Kukës, për shkak të detyrës, dhe është larguar në banesë për të marrë armën e gjahut të cilën e posedonte me leje, ku është rikthyer përsëri, duke prishur dhe qetësinë publike, dhe në këto momente falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë u bë e mundur kapja e autorit si dhe bllokimi i armës. Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike””, njofton policia./Opinion.al