Presidenti i SHBA Joe Biden i tha Vladimir Putinit, gjatë një telefonate një orëshe të shtunën, se një pushtim rus i Ukrainës do të sillte një përgjigje vendimtare dhe të shpejtë nga Perëndimi, si dhe do të shkaktonte vuajtje të gjerë dhe do të zvogëlonte pozitën e Rusisë në botë.
Në përpjekjen e fundit për të shmangur armiqësitë, të dy liderët folën me telefon një ditë pasi Uashingtoni dhe aleatët e tij paralajmëruan se forcat ruse, të grumbulluara pranë Ukrainës mund të pushtonin në çdo moment. Një zyrtar i lartë i administratës Biden tha se thirrja ishte profesionale dhe thelbësore, por tha se nuk kishte asnjë ndryshim thelbësor.
Ngritja ushtarake e Rusisë pranë Ukrainës dhe një rritje e aktivitetit ushtarak ka nxitur frikën se Rusia mund të pushtojë. Rusia mohon të ketë ndonjë plan të tillë.
Biden i tha Putinit se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për diplomaci dhe “skenarë të tjerë”, tha Shtëpia e Bardhë.
Zyrtari i lartë i administratës Biden tha se dyshja kishin pasur një bisedë të drejtpërdrejtë duke prekur të gjitha çështjet që Shtetet e Bashkuara kanë ngritur në publik. Zyrtari tha se mbetet e paqartë nëse Putin është i gatshëm të ndjekë një rrugë diplomatike.
Më herët, Departamenti i Shtetit i SHBA-së urdhëroi shumicën e stafit të ambasadës së tij të largohej nga Ukraina, duke shtuar thirrjen e tij të premten që qytetarët e tyre të largoheshin nga vendi brenda 48 orëve. Pentagoni tha se po tërhiqte rreth 150 trajnerë ushtarakë.