Aktualitet

“Do i shpallim në kërkim”, kreu i KLP justifikon Ramën: Akuza politike


               Publikuar në : 11:41 - 18/10/19 |
Al Do

Akuzat dhe thirrjet për shpallje në kërkim të grupit KÇK nga kryeministri Edi Rama, janë cilësuar si deklarata politike nga Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve, Ibrahimi deklaroi se akuzat e Ramës janë deklarata politike dhe se nuk mjaftojnë për të bërë gjyq.

“Kryeministri Edi Rama bëri një akuzë të përgjithshme dhe politike, si të tillë e kemi trajtuar edhe ne. Nuk është se po bëjmë një hetimit të thelluar, por po e shohim në përgjithësi. Nuk mjafton për të bërë gjyq”, tha Ibrahimi.

Kreu i KLP-së nuk reagoi në lidhje me këto akuza edhe kur iu kërkua të mbante një qëndrim nga  Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Unioni i Gjyqtarëve, të cilët thanë se deklaratat e kryeministrit cënojnë ndarjen e pushteteve dhe përbëjnë kërcënim për besueshmërinë e institucioneve që ata përfaqësojnë.

Ibrahimi shtoi gjithashtu se këtë çështje duhet ta hetonte inspektori i përgjithshëm, por ky institucion nuk është ngritur ende u justifikua ai. Po çfarë ka ngritur deri tani KLP?

Në korrik të këtij viti, Ibrahimi tha se në Shtator ose maksimumi në fillim të tetorit SPAK do të jetë gati. I pyetur sot në Komisionin e Ligjeve ai tha se institucioni është gati për tu ngritur por nga ana tjetër tha se pritet që të kalojnë vetingun prokurorë të tjerë që janë në garë pasi deri tani vetëm 8 kandidatura e kanë kaluar këtë proces.

Pyetjes së deputetit Spartak Braho se përse SPAK nuk e nis punën me 8 nga 15 kandidatë, Ibrahimi iu përgjigj se kjo do të shkaktojë mbingarkesë.

“Tani që flasim kemi 8 prokurorë që mund ti emërojmë të cilët kanë kaluar vetingun nga 15 kandidatë. Dhe në momentin që i emërojmë SPAK fillon punën. Por, nëse i emërojmë këta 8 prokurorë në SPAK, atëherë i bie që çdo prokuror do të ketë mbingarkesa shumë të madhe” tha ai. Por në bazë të Kushtetutës SPAK nuk mund të ngrihet pa 15 prokurorë, megjithatë kjo nuk ishte pjesë e arsyetimit.

Sa i përket Byrosë Kombëtare të Hetimit e cila parashikohej të ngrihet gjithashtu në Tetor, ndërsa sipas Kushtetutës paralelisht me SPAK, Ibrahimi tha se do të marrë kohë ngritja e saj

“Shumë shpejt do të kolaudojmë në krijimin e SPAK. Procesi i krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jetë i gjatë” tha kreu i KLP. /Opinion.al

Pas