Në Tajlandë ka rifilluar operacioni i shpëtimit për nxjerrjen e katër futbollistëve të vegjël të mbetur në shpellën Tham Luang me trajnerin e tyre prej më shumë se dy javësh. Me përjashtim të ndonjë të papriture, autoritetet kanë thënë se sot pritet të nxirren të gjithë në sipërfaqe. Mes të dielës dhe të hënës, janë shpëtuar tetë djem, të cilët janë në gjendje të mirë dhe ku katër prej tyre janë takuar edhe me prindërit.
Narongsak Osottanakorn, udhëheqës i misionit të shpëtimit, tha se 5 të fundit (4 femije dhe trajneri) do të nxirren jashtë në të njëjtën kohë.
Në dy ditët e kaluara janë nxjerrë gjallë nga shpella tetë vetë. Dymbëdhjetë djem, të moshës 11 deri në 16 vjeç, dhe trajneri i tyre kanë qenë duke eksploruar shpellën Tham Luang më 23 qershor, kur janë bllokuar brenda, si pasojë e përmbytjeve nga shirat.
Ata janë zbuluar të gjallë javën e kaluar. Një ekip prej 90 zhytësish – 40 nga Tajlanda dhe 50 nga jashtë – po marrin pjesë në operacionin e shpëtimit që ka nisur qysh të dielën.