Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, sot, ka deklaruar se Partia Socialiste është e hapur për çdo forcë politike për të vazhduar koalicionin.
Sipas tij, nuk ka diskutim që kjo është një kontratë e jo thjesht e disa partive politike, por mbi të gjitha, një kontratë që shqiptarët e kanë votuar me 23 qershor.
“Jemi të gatshëm dhe të hapur për çdo forcë politike për të vijuar koalicionin, për ta shtuar koalicionin në kontribute dhe vlera”, tha Bushati.
Ai tha se një mandat i qartë për PS-në edhe në zgjedhjet që presim me 18 qershor është një garanci që reformat do zbatohen.
Numri një i diplomacisë shqiptare nuk i shpëtoi dhe pyetjes së gazetarëve për kritikat e bëra nga deputeti i LSI-së në qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo, ndërsa shtoi me ironi duke thënë se e do Vangjelin, por më shumë SHBA-në dhe BE-në.
“Jemi të përqendruar totalisht tek puna sepse me 18 qershor ne si qeveri, PS do tu japë llogari qytetarëve shqiptarë sa i përket përmbushjes së reformave dhe sa i përket përmbushjes së zotimeve të marra. E dua Vangjelin, por më shumë dua SHBA dhe BE. Dhe kur vjen puna për vlerësimin e reformave dhe sfidave që duhet të përballojmë të gjithë sëbashku, përfshirë dhe Vangjelin, besoj se ekspertiza amerikane dhe ekspertiza e shërbimeve të Komisionit Euriopian të vendeve anëtare është një pikë shumë e mirë reformimi të mëtejshme për gjithë institucionet shqiptare”, theksoi Bushati.
Ministri i Jashtëm u ndal edhe tek qëndrimet e metropolitit të Kishës serbe të Malit te Zi, Amfillohije Radoviç.