Te Fundit

Dita e Autizmit/Mesazhi i shokut të klasës: Më fal, të kam shpërfillur


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 12:55 - 02/04/21 |
Opi Nion

Nga: Semiljana Azizi

“Më fal që të kemi shpërfillur që në klasë të parë, më fal për të gjitha gjërat.” Kështu shkruante djali më çapkën i klasës për Sidritin, i cili ulet gjithmonë në bankën e fundit i shoqëruar nga një mësuese ndihmëse.

Më shumë se një ditë botërore e autizmit me evente të vakëta, sot është dita ku prindërit, familjarët dhe shoqëria duhet të flas e të kërkojë falje.

Unë mësuesja jote dua të të kërkojë falje sot Sidrit, ty dhe të gjithë shokëve të tu. Dua të të kërkojë falje në emër të të gjithë mësueseve që zgjedhin mos të të mbajnë në klasë sepse u prish orën e mësimit kur nis e qesh me të madhe ose lexon me zë. Dua të të kërkoj falej edhe në emër të shokëve të tu që e largojnë bankën vetëm sepse ti je kurioz për lapsat e fletoret e tyre. Edhe në emër të të gjithë të panjohurve në rrugë që kur të shohin shtrembërojnë fytyrën me ndjenja keqardhjeje.

Madje, ndonjëherë mendoj se duhet të të kërkoj falje edhe në emër të familjes që nuk i ka mundësit ekonomike për të përballuar terapitë të cilat kapin shifra nga 1000 deri në 1500 lekë (të reja) për një orë. Edhe pse në vendin tonë flitet me të madhe, këtu s’ka qendra të specializuara, e familjarët u drejtohen të pakta qendrave private. Po edhe për këtë të kërkoj falje Sidrit, ty dhe shokëve të tu.

Sot të jesh prind i një fëmije të diagnostikuar me çrregullim të spektrit të autizmit është shumë sfiduese. Stresi i përditshëm lidhur me pamundësinë për të komunikuar, pamundësinë për ta kuptuar dhe ndihmuar fëmijën i bën prindërit të kenë nevojë për përkrahje dhe mbështetje nga e gjithë shoqëria. Por stres akoma më i madh është kur nuk ke një profesionist të zotin, e prindërit detyrohen të ulen me fëmijën e tyre në bankat e shkollës. Pendohem i dashur Sidrit edhe për mungesën e specialistëve sot.

Pendohem e ndihem fajtore sot kur të shoh ty që je i lumtur por nuk e ke mundësinë për të marrë shërbimin e duhur e të domosdoshëm që të ecësh në një hap me bashkëmoshatarët e tu.

E them këtë nga pozicioni im si mësuese ndihmëse e një djali 11-vjeçar i quajtur Sidrit. I shkruaj sot këto rreshta, në Ditën Botërore të Autizmit sepse në vendin tonë nuk ka një database (bazë të dhënash) të saktë se sa fëmijë lindin me autizëm dhe sa prej tyre janë në trajtim apo në kurim. Ndërkaq, dua të theksoj këtu se sipas të dhënave të shërbimit psikiatrik të vitit 2019, numri i rasteve të reja në Njësinë e Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Adoleshentëve është rritur me rreth 200 raste në vit.

Me vetëdijen se s’do i lexosh ndonjherë këto rreshta për të kuptuar çfarë kam dashur të them Sidrit, dua të ngre sot një zë të fortë për institucionet që vegjetojnë e shpërdorojnë fondet. Të ngre zërin për terapistët, profesionistët e zotë që të jenë në krah të familjeve e prindërve në këtë sfidë të madhe. Të ngre zërin dhe për mediat edhe për OJF. E në fund dua të përmend shoqërinë, faktorin kryesor e cila mund të çoj përpara këtë ortek të madh diskriminimi dhe paragjykimi për të ndryshuar dhe përmirësuar jetën e fëmijëve me autizëm./Opinion.al

Pas