Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë Medias, Presidenti Ilir Meta thotë se kjo ditë i gjen shumicën e mediave nën censurën e qeverisë dhe kontrollin e oligarkisë.
Kreu i shtetit shkruan në një postim në “Facebook” se fondet publike dhe burimet e dyshimta financiare përdoren për të cenuar lirinë e shprehjes, për të fshehur të vërtetat dhe për të shmangur llogaridhënien.
“Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit i gjen shumicën e mediave shqiptare nën çensurën e Qeverisë dhe kontrollin e oligarkisë. Fondet publike dhe burimet e dyshimta financiare vazhdojnë të përdoren gjerësisht për të cenuar lirinë e shprehjes, për të fshehur të vërtetat dhe për të shmangur llogaridhënien. Dhuna dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë shpeshtuar, së bashku me censurën dhe autocensurën. Liria e medias është thelbësore për demokracinë. Ne duhet të mbrojmë dhe inkurajojmë çdo ditë gazetarët kurajozë në punën e tyre. Ata duhet të ndihen të sigurtë dhe të kenë qasje të plotë në informacionin që i shërben interesit publik, pa pritur që lirinë e shprehjes t’ua servirë politika apo grupet e saj klienteliste. Pseudo-liritë prodhojnë vetëm regjime me pseudo-demokraci!”, shkruan Presidenti./Opinion.al