Tashmë vetëm si deputet i PS në Kuvendin e Shqipërisë, Arben Ahmetaj ka folur për herë të parë pas largimit nga posti i zvendës/kryeministrit por edhe për vendimin e Kryesisë së Partisë Socialiste për t’i hequr edhe drejtimin politik të qarkut të Vlorës.
Jashtë dyerve të parlamentit Ahmetaj në një intervistë për Vizion Plus ka thënë se riorganizimi i partisë është një proces normal dhe se pas këtyre vendimeve nuk ka asgjë të re.
“Riorganizimi është normal, ndodh shpesh, ka ndodhur, do të ndodhi, nuk ka ndonjë gjë të re”-tha Ahmetaj.
I pyetur, nëse zhveshja e tij nga çdo funksion qeveritar dhe partiak nënkupton një distancim të mazhorancës qeverisëse, Arben Ahmetaj tha se ai dhe Partia Socialiste janë një.
“Unë dhe Partia Socialiste dhe të gjithë kolegët jemi një. Këto janë vetëm telenovela, por si duket nuk ka lajme, ka nga këto lajme kështu, që nuk e ngrefin dhe ndoshta ju kërkoni këto lajmet e vogla që ndoshta e ngrehin”-tha Ahmetaj.
Ish-zvendës/kryeministri e përjashtoi mundësinë se mosmbajtja e asnjë detyre kryesore lidhet me aferën korruptive të inceneratorëve.
“Çfarë lidhje kam unë me inceneratorët. Ato janë vepra në ndërtim, çfarë të ketë lidhje, më thuaj si e lidh ti?”-tha Ahmetaj
Për akuzat e LSI dhe PD të cilët përmendin emrin e Ahmetaj në aferën e inceneratorëve, deputeti i PS u përgjigj:
“Emrin, kanë përmendur edhe tëndin, edhe të të gjithëve. Unë nuk dua t’ia di se kush e përmend emrin tim, nuk është se më emocionon ndonjë gjë. Është çështje që është në diskutim në institucionet përkatëse. Ju doni të bashkoni pika që nuk ekzistojnë”-tha Ahmetaj.