Para vendimit të NATO-së për të ndërhyrë ndaj forcave serbe për t’i dhënë fund fushatës së dëbimit të shqiptarëve nga Kosova 25 vjet më parë, ishin bërë përpjekje të shumta diplomatike për të frenuar konfliktin.
Në mesin e tyre ishte edhe një mision diplomatik amerikan, i njohur si K-DOM, që po vëzhgonte situatën në Kosovë krahas vëzhguesve të OSBE-së dhe atyre evropianë dhe rusë. Në një intervistë të rrallë, ish drejtuesi i këtij misioni, Shaun Byrnes, diplomat amerikan me përvojë të gjatë në Ballkan, tani në pension, i tha Zërit të Amerikës se situata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet e brishtë, me mundësi të rindezjes së incideneteve. Ai thotë se hezitimi i Kosovës për të formuar Asociacionin e komunave serbe është real për shkak të qasjes armiqësore të Serbisë ndaj saj.
Zëri i Amerikës: Në këtë përvjetor të 25 të ndërhyrjes së NATO-s, duke marrë parasysh të kaluarën, por edhe duke parë nga e ardhmja, si e vlerësoni situatën në Kosovë? A ishte ai vendim i duhur?
Shaun Byrnes: Ndërhyrja ishte një prej hapave. Ndoshta në atë kohë ka pasur edhe mundësi të tjera, por për atë kohë, ishte vendim i arsyeshëm. Asnjëra nga palët e angazhuara nuk donin më luftë, asnjëra palë nuk deshi ta bombardonte Serbinë, askush nuk deshi të përdorte forcë ushtarake dhe të ndërhynte në Kosovë për t’i dhënë fund luftës. Ishte një zgjidhje e përkohshme, për të blerë kohë, nëse kjo do të funksionte, do të blinte kohë për arritjen e një zgjidhjeje politike… Ishte e rëndësisë kritike të ndaloheshin luftimet për t’iu mundësuar të dyja palëve një zgjidhje politike.
Zëri i Amerikës: Si e vlerësoni situatën e tanishme? Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara luhaten. Cili është vështrimi juaj se si janë zhvilluar marrëdhëniet ndër vite?
Shaun Byrnes: Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me vendosmëri me Kosovën. Kemi miqësi të fortë dhe kemi punuar shumë për të ndihmuar Kosovën që të bëhet një vend ku mbretëron rendi e ligji dhe ekonomia e tregut të lirë. Ka pasur ngritje dhe rënie, ka pasur dëshpërim në anën tonë dhe në Prishtinë, por është bërë përparim i madh në ngritjen e standardit të jetesës, ndërtimit të infrastrukturës. Problemet që i kemi tani, me qeverinë e Albin Kurtit, siç i kuptoj unë, kanë të bëjnë me dialogun që po zhvillohet që nga viti 2013, që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe në thelb kjo përpjekje nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Për mendimin tim, udhëheqësit e Serbisë nuk kanë vullnet për njohje. Andaj ajo çfarë kemi parë është një teatër. Çështja tjetër është çështja e të drejtave të popullatës së mbetur serbe në Kosovë dhe një prej çështjeve që lidhet me të është krijimi i Asociacionit të komunave serbe dhe kompetencave që do të kishte ky asociacion. Udhëheqësit e Kosovës, qoftë zoti Thaçi në kohën e tij, apo zoti Kurti tani, po ashtu edhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike, të gjithë kanë rezerva serioze për të rënë dakord për themelimin e Asociacionit për shkak të mundësisë që ai të bëhej një hap drejt krijimit të një Republike Serbe të dytë.
Zëri i Amerikës: A mendoni se shqetësimet e tyre kanë bazë?
Shaun Byrnes: Po, mendoj se po, duke marr parasysh sjelljen e Serbisë. Ndoshta një ditë kur në Serbi të jetë një regjim me të vërtetë demokratik dhe Serbia të shndërrohet në një vend ku mbretëron ligji, me media të lira dhe të pavarura, krijimi i Asociacionit do të jetë i mundur, por shqetësimet në Prishtinë mendoj se janë reale dhe legjitime për krijimin e Asociacionit serb. Më duket se një ide e tillë vetëm sa legjitimizon strukturat paralele të tanishme të Serbisë, që në shumicën e rasteve i kanë rezistuar integrimit të institucioneve të qeverisëse të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Ekspertë të shumtë të rajonit kanë paralajmëruar për mundësinë e rindezjes së konfliktit. Si mendoni ju, a ka gjasa të ketë rindezje të konfliktit?
Shaun Byrnes: Fatkeqësisht, nga pikëpamja ime mendoj se ka mundësi dhe më duhet t’i referohem incidentit së fundi në Banjskë si shembull. Është e qartë që (Presidenti serb) Vuçiçi po ruhet nga nacionalistët serbë të vijës së ashpër, të cilët kundërshtojnë ashpër çdo kompromis me Kosovën. Ky është problem për të dhe nuk di sa ka në dorë të ndikojë, por është e qartë, që ai druhet të ecë përpara dhe me shpejtësi. Dhe kjo hap mundësinë, që më së paku, të ketë sërish provokime.
Zëri i Amerikës: Zoti Byrnes, duke patur parasysh këto sfida, si mendoni se duhet të angazhohen Shtetet e Bashkuara me Kosovën dhe Serbinë?
Shaun Byrnes: Shtetet e Bashkuara duhet të dërgojnë sinjale të qarta se mbështesim Kosovën pavarësisht ndryshimeve në dinamikat tona të brendshme politike. Ne mbesim miq dhe duhet të vazhdojmë të nxisim udhëheqësit në Kosovë që të vazhdojnë dhe të shtojnë përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe të ndërtojnë një shoqëri që respekton rendin dhe ligjin. Kjo është çështja më e rëndësishme për Kosovën, që të bëhet një shtet ku mbretëron sundimi i ligjit sepse do të zgjidhte shumë probleme dhe do t’i ndihmonte drejt njohjeve të tjera. Ndërkaq sa i përket Serbisë, mendoj se duhet të bëjmë më shumë trysni ndaj saj që të tregojë më shumë gadishmëri për kompromis në çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën. Thënë sinqerisht, mendoj se duhet të jemi më të rreptë me Serbinë, sepse vazhdon të ketë qasje armiqësore ndaj Kosovës. Serbia duhet ta kuptojë që Kosova nuk është më pjesë e Serbisë, ka fituar pavarësinë e saj me forcën e armëve dhe i duhet ta pranojë këtë gjë. Ka patur një arsye reale që Kosova dhe popullata e saj vendosën të ndahen nga Serbia dhe serbët thjesht duhet ta pranojnë këtë gjë, por shumica e tyre nuk kanë vullnet ta pranojnë./Zëri i Amerikës