The Hill, një gazetë interneti botoi dje të dielën, më 5 prill, një shkrim të James Pardew me titull: “Ndërkohë që Covid ka përfshirë botën, Uashingtoni merret me lojra të fëlliqura në Ballkan”. Autori, oficer karriere në shërbimet ushtarake të inteligjencës shtron që në fillim të shkrimit pyetjen, se cilat mund të jenë interesat amerikane për hir të të cilave, diplomacia e administratës së Trumpit është duke destabilizuar Kosovën, “këtë vend të vogël dhe të pambrojtur proamerikan të Ballkanit”, në një kohë që pandemia globale e shëndetit ka kapluar botën? Pse e bën një gjë të tillë ekipi i Trumpit, kur dihet që SHBA ndaloi me forcë Serbinë, që të mos kryente gjenocid në Kosovë në vitin 1999?
“Kjo gjë është shumë e çuditshme kur mendon që SHBA ka luajtur rolin kryesor në dhënien e pavarësisë Kosovës dhe që nga ajo kohë Kosova ka qenë vendi më proamerikan i Europës,” shkruan më tej Pardew, i cili e njeh mirë rajonin, ku ka shërbyer edhe si ambasador në Bullgari. “Sot, shkruan ai, diplomacia amerikane favorizon Serbinë, aleatin më të ngushtë të Rusisë në rajon.”
Më tej ai i kthehet Grenellit, të dërguarit të Trumpit, “i cili i ka bërë presion Kosovës, që të pranojë kërkesat serbe si pjesë e “negociatave” për normalizimin midis dy vendeve”. Grenell, drejton diplomacinë amerikane në Kosovë në një kohë që mban postin e ambasadorit amerikan në Gjermani dhe të drejtorit në veprim të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës. “Ky është një varg absurd detyrash për dikë që ka eksperiencë të kufizuar diplomatike dhe nuk ka aspak eksperiencë në fushën e shërbimeve të inteligjencës”, shkruan James Pardew, i cili e shpreh qartë mosvlerësimin për Grenellin, për të cilin thotë se “ka qenë katastrofë si ambasador në Gjermani, aleatin më të rëndësishëm demokratik të Amerikës në Europë”. Zyrtarët gjermanë mezi presin largimin e Grenellit, thotë Pardew.
Gazeta online, “The Hill”, me bazë në Uashington ku është botuar shkrimi i James Pardew, e ka bazën në gazetën e printuar me të njëjtin titull, hapur më 1994 nga dy ish gazetarë të Nju Jork Times. The Hill informon kryesisht mbi Kongresin amerikan, (Parlamentin), presidencën dhe fushatat elektorale.
James Pardew, e quan presidentin serb Aleksandar Vucic, “një nacionalist serb që përdor si mjet politik për të marrë mbështetje urrejtjen etnike, siç ka pas bërë në vitet 1990 Sllobodan Millochevici”. Pardew, që përveç postit të Ambasadorit amerikan në Bullgari, ka mbajtur edhe postin e zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, vlerëson se “Udhëheqësit serbë vazhdojnë të ushqejnë ndarjet dhe armiqësitë si në Bosnjë ashtu edhe në Kosovë” dhe se “Vladimir Putini lumturohet kur e ndihmon Beogradin në çdo gjë që përçan unitetin midis Europës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara”.
“Ajo që është duke bërë Trumpi dhe Grenelli tani në Kosovë shkatërron themelet e politikës së suksesshme amerikane në rajon,” shkruan autori. Më tej ai shpjegon pse.
“Një nga principet amerikane që sollën paqen në rajon më 2008, ishte nocioni se kufijtë janë të vendosur dhe zgjidhjet politike duhen gjetur brenda kufijve të kombit, për të cilin bëhet fjalë. Marrëveshja e Ohrit që pengoi luftën në Maqedoni, thoshte qartë se “Nuk ka zgjidhje territoriale për çështjet etnike. Territoret nuk janë zgjidhje për probleme të tilla”.
Përpjekjet amerikane në ish-Jugosllavi, autori i quan, suksese të mëdha të politikës së jashtme amerikane në periudhën e hershme post-sovjetike. Ai kujton se kur ish-Jugosllavia u shpërbë, drejtimi amerikan në koalicion të ngushtë me partnerët ndërkombëtar, duke përdorur diplomacinë dhe forcën ushtarake i dha fund gjenocidit serb në Bosnjë, ndaloi katastrofën humanitare në Kosovë dhe parandaloi luftën civile në Maqedoni nga 1995 deri më 2008, , shkruan Pardew, në këtë op- ed, që është shkurtimi për “opposite the editorial page”, “përballje me editorialin”.
“Kosova është sot shtet i pavarur demokratik, i njohur nga 97 vende, kujton Pardew, por Serbia përdor influencën e saj për t’ia bllokuar anëtarësimin në OKB dhe institucione të tjera ndërkombëtare. Si reagim Kosova vendosi tarifa 100 përqindëshe mbi mallrat serbe që hyjnë në vend. Grenell i ka bërë presion Kosovës të heqë tarifat në mënyrë që të vihen në lëvizje bisedimet e bllokuara”.
Por qëndrimin e administratës së Trumpit, Pardew e quan përtej ironikes: „Sanksionet ndërkombëtare dhe tarifat janë politika më e favorizuar e administratës së Trumpit, prandaj kundërshtimi për vendosjen legjitime të tarifave si mjet në marrëdhëniet ndërkombëtare, ia kalon çdo lloj ironie.”
“Për të bërë presion mbi Prishtinën, SHBA ndaloi ndihmat aq të nevojshme për Kosovën. Disa zyrtarë të Uashingtonit ngritën madje pyetjen e mundësisë së largimit të kontigjentit të vogël të trupave amerika nga Kosova, të cilat kanë qenë shumë të rëndësishme për sigurinë e Ballkanit që nga viti 1999.” “Ky ishte faktori kryesor që e bëri të rrëzohej kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në një kohë kur në rajon përhapej virusi Covid 19. Kosova tani drejtohet nga një qeveri e dobët, që nuk mund të kujdeset për gjithçka”, shkruan James Pardew.
Më tej në shkrim: “Grenelli me sa duket preferon qëndrimin e politikanit kohëgjatë dhe presidentit aktual Hashim Thaçi, i cili favorizon një marrëveshje me Beogradin edhe nëse kjo përmban shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Beogradit. Unë e pata këshilluar Thaçin një vit më parë gjatë një bisede në Uashington se marrëveshja me këmbime territoresh është një hile serbe që nuk të çon kurrkund, dhe se ai nuk mund t’i besojë administratës së Trumpit për asnjë lloj negociatash me Beogradin. Ai e ka injoruar këshillën.”
James Pardew mendon se ekzistojnë shumë pyetje lidhur me misionin e Grenellit në Kosovë: “Pse do të donte dikush me eksperiencë kaq të kufizuar dhe detyra kaq të rëndësishme kombëtare, të angazhohej në bisedimet midis dy kundërshtarëve të dobët në Ballkan? Pse është duke marrë Grenell qëndrime proserbe në bisedime? Pse është duke destabilizuar SHBA një vend proamerikan në kohë kaq delikate?
“Ka diçka që mban erë në gjithë këtë gjë”, shkruan ai i sigurt.
Dhe vazhdon me supozimet se: “Duke qenë një Trumpist entuziast e i angazhuar, Grenell, mbase kërkon me çdo kusht që të kënaqë shefin. Por kur kujtohem për marrëdhëniet shumë të dyshimta midis Trumpit dhe Vlatimir Putinit, unë dyshoj se ka diçka tjetër më shqetësuese. Unë dyshoj, pa patur prova, se Putini i ka paraqitur idetë e tij proserbe presidentit Trump, duke e vënë theksin tek shqiptarët që janë myslimanë dhe duke i kërkuar Trumpit ndihmë për të nxitur bisedimet”.
“Ashtu si emërimet e tjera të keqkonceptuara, Trump e bëri njeriun e tij besnik, Grenellin, njeri agresiv dhe antagonist, njeriun kryesor për Kosovën. Kjo është një dhuratë e vogël për Putinin, të cilit i pëlqejnë të shkaktojë turbullira në Europë, të çfarëdo lloji qofshin,” shkruan Pardew. “Të angazhosh në ish-Jugosllavi diplomacinë e frymëzuar nga Trumpi është sikur të lesh një fëmijë dy vjeçar të luajë me qirinj të ndezur pranë një mullari me bar”.
James Pardew kritikon misionin e Richard Grenell: “Misioni i Grenellit në Kosovë rrit destabilitetin në Ballkan dhe nuk i shërben interesave kombëtare amerikane. Politika aktuale amerikane në Kosovë është të paktën inkompetencë diplomatike, për të mos thënë qëndrim i gabuar“.
“Në një kohë kur Covid 19 është duke u përhapur në SHBA dhe Europë. Grenelli duhet ta lerë rehat Ballkanin dhe të mos turbullojë ujrat në një rajon, për të cilin i mungojnë njohuritë, eksperienca dhe kapaciteti diplomatik për të përmirësuar situatën,” shkruan për “The Hill” James Pardew.
Në fund të shkrimit të tij: “Në vend të kësaj. SHBA duhet të mbështesë qeverinë në Kosovë, që të merret me krizën shëndetësore. Marrëdhëniet Kosovë- Serbi janë një problem afatgjatë që kërkon vëmendje serioze dhe diplomaci profesionale, jo një politikë të gatuar përgjysmë që t’i shërbejë vetëm interesave serbe dhe ruse”, shkruan James Pardew. / DW