Ish-prokurori zviceran, Dick Marty, ka zbuluar se prej një viti e gjysmë jeton nën mbrojtjen e policisë, pasi kishte marrë kërcënime për jetën. Ai beson se kundër tij ishte përgatitur një komplot nga Beogradi.
“Kërcënimi erdhi nga disa qarqe të shërbimeve sekrete të Serbisë që i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë që të më hiqnin qafe, thjesht për të fajësuar Kosovën”, u shpreh ai për televizionin publik të Zvicrës.
Marty shpjegoi se që prej fundit të 2020-s jeton i mbikëqyrur nga forcat e policisë. Shtëpia e tij është e pajisur me kamera survejimi dhe një dhomë të sigurt të blinduar, ndërsa sa herë që shfaqet në publik duhet që të mbajë veshur një jelek antiplumb.
Gjatë karrierës së tij, Marty ishte një politikan dhe prokuror në kantonin zviceran të Tiçinos. Nga viti 1999 deri në 2011, ai ishte anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku ndërmori një sërë hetimesh përfshirë dyshimet për burgje sekrete të CIA-s në Europë dhe dyshimet për trafikim organesh në Kosovë.