Aktualitet

Dibra e Shukrit, miellit dhe Rrugës së Arbrit


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 21:41 - 12/09/16 |
b.f

Nga Rudina Xhunga

Zgjedhjet në Dibër ishin zgjedhjet e miellit. Nuk ka rëndësi kush shpërndau miell, PS, PD, apo Bektashinjtë për Bajram.

Rëndësi ka që u fol më shumë për miellin, sesa për Rrugën e Arbrit.

Të flitet për miell në zgjedhjet e 2016, do të thotë t’i drejtohesh atij që e shet votën lirë, aq lirë, sa mjafton t’i ndryshosh javën. Të flasësh për Rrugën e Arbrit do të thotë t’i drejtohesh atij, që do t’i ndryshosh njëherë e përgjithmonë jetën, duke ia afruar qytetin me kryeqytetin, duke ia kthyer në një qendër urbane, siç Dibra e meriton të jetë.

Por ata që kërkojnë rrugën kanë ikur nga Dibra. Ata rrinë me kokën pas, por nuk votojnë.

Unë nuk kam njohje dhe nuk mund të flas për zotin Rama dhe zotin Shehu.

Dibra për mua është Bujari dhe Naimi.

Naimi më ka shoqëruar nga dita e parë, deri te e fundit në Top Channel. Ka ndërtuar gjithë studiot e mia, bashkë me Mirin, Bujarin, Vanin, Redin, duke ndihmuar dhe lehtësuar çdo punë, nga ato që kërkojnë 10 vetë t’i mbyllin.

Pas çdo emisioni me shkrimtarë, rrinte pas studios dhe priste për librin. Ndërsa, kur kisha politikanë, priste deri në fund, vetëm kur dikush mund të fliste për Rrugën e Arbrit. Njëherë e pyeta, pse ishte aq rëndësishme për të, kur kishte një jetë në Tiranë.

“Sepse kam tokën e prindërve – më tha, -kam çfarë mbeti nga shtëpia ku linda. Shkoj çdo javë dhe çoj një herë një gozhdë e një herë një gur, derisa ta ngre si dikur. Po të bëhet rruga, do të shkoj për një orë e gjysmë, do shkoj e do vij, do të shkojnë fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve. Do vijnë shumë e s’do ikin më, se si Dibra nuk ka, – vazhdoi Naimi duke më treguar për çfarë më priste në Dibër, pasi të bëhej Rruga e Arbrit, e duke më bindur se po të blija tokë tani, një ditë, kur rruga t’i jepte vlerë, do të gjejë parajsën mbi tokë.

Naimi jetonte me ëndrrën e rrugës, por sa herë kishte zgjedhje zhgënjehej. Nuk u bë gjë, as këtë herë, – thoshte.

Për të mendova, kur dëgjova se Shukriu ishte dorëhequr, ngaqë kishte halle krejt të pangjashme me Naimin.

Bujarin, dikur faqosës në gazetë, e njoh qysh nga ’96. I urtë, pa zë, unë e mbaj mend vetëm duke punuar, pa ngritur kokën nga kompjuteri. E ngrinte vetëm kur më fliste për Rrugën e Arbrit. Unë kujtoja se ishte një fantazi virtuale, nga ato të çunave të IT. Nuk i kushtoja rëndësi, kur ai më fliste për një rrugë që do të ndryshonte Dibrën, se ishte koha, kur nuk kisha rrugë te Stadiumi Dinamo, ku banoja.

Kanë kaluar vite dhe Bujari nuk është lodhur duke i folur për rrugën, njerëzve që mendojnë vetëm për rrugicën e shtëpisë së tyre. Ai jo vetëm flet e faqos, por ka hapur edhe një gazetë që e drejton vetë, e mban me shpenzimet e tij dhe ia ka kushtuar të vetmes ëndërr që ka, ndërtimit të Rrugës së Arbrit.

Kur nisi fushata më dërgoi një reportazh nga Dibra, për dritare.net, për të cilin kishte punuar dy muaj. Më shumë se koha që kishin pasur kandidatët për të bërë programin.

Kishte shkruar çdo gjë, realisht, pa paragjykime, pa zemërim, me zemër dhe dhimbje që as këto nuk qenë zgjedhjet e tij, nuk ishin zgjedhjet për Rrugën e Arbrit.

Po Bujari nuk ndalon së besuari. Me të njëjtin portret si Naimi, si gjithë ata që punojnë, ai nuk ndalon së foluri për rrugën, së besuari se një ditë, kurdo qoftë ajo, rruga do të bëhet dhe Dibra do të dalë në dritë.

I shoh atë ditë, teksa do të nisen për në Dibër të parët. Të parët se nuk i zë vendi, jo se do t’i presë kush si fitimtarë. As e kërkojnë. Ata nuk duan vota, para, lavde, intervista, çelës qyteti. Ata duan qytetin. Ata duan Dibrën.

Naimi dhe Bujari janë dibranët që e meritojnë Dibrën dhe Dibra i meriton ata.

Për fat të keq, ata dhe të tjerë si ata që nuk i njoh, as votojnë, as zgjidhen, ndaj kryefjala e Dibrës ishte mielli, jo Rruga e Arbrit./mapo

Pas