Një 42-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe e ka kërcënuar atë me thikë. Policia bën me dije se është ndërhyrë në kohë dhe është parandaluar konflikti që mund të kishe pasoja të rënda.
Uniformat blu kanë arrestuar 42-vjeçarin me inicialet E. T., dhe kanë sekuestruar thikën me të cilën ai kanosi bashkëshorten.
Shërbimet e Policisë Sarandë, pasi kanë marrë njoftimin se në lagjen nr. 2, Sarandë, një person po ushtronte dhunë mbi bashkëshorten dhe po e kanoste atë me thikë, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë ndërhyrjes së shpejtë kanë parandaluar përshkallëzimin e konfliktit që mund të kishte pasoja të rënda.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. T., 42 vjeç, banues në Sarandë dhe sekuestrimi i thikës me të cilën ai kanosi bashkëshorten.