Pas dhunimit të mjekut Zef Doda në spitalin e Lezhës, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë. Nëpërmjet një postimi në Facebook, ky institucion thotë se autorët duhen dënuar maksimalisht.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke e denoncuar këtë akt, kërkon nga organet e drejtësisë të reagojnë menjëherë me dënimin e merituar për agresorët e mjekut dhe kërkon sensibilizimin dhe mbështetjen e shoqërisë për bluzat e bardha në krye të detyrës, në shërbim të popullatës”, shkruhet në reagim.
Ministria e Shëndetësisë gjithashtu ka propozuar ndryshime në Kodin Penal si edhe regjim të ri në spitale, për displinimin e vizitave të familjarëve.
“Ministria e Shëndetësisë ka propozuar ndryshimet në kodin penal për të vendosur ekskluzivisht goditjen dhe kanosjen për shkak të detyrës si vepër penale, paralelisht me vendosjen e një regjimi të ri në spitale, për disiplinimin e vizitave të familjarëve dhe riorganizimin e sigurisë në spitale. Kujdesi shëndetësor që duam duhet të ketë në themel frymën e besimit, ofrimin e kujdesit të pakushtëzuar, pavarësisht statusit social të atij që ka nevojë, por njëherësh, edhe respektin ndaj figurës së mjekut dhe infermierit. Ne do të punojmë fort, por na duhet ndihma e gjithsecilit prej jush, për t’a rikthyer këtë raport, të thyer keqazi ndër vite”, përmbyllet reagimi zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë./Opinion.al
Lexo edhe: Konflikt me familjarin e pacientit, dhunohet rëndë mjeku në Lezhë