Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me dhunimin e bërë ndaj gazetarit të “News24” në Dibër, Enver Doçi.
Në njoftimin e shpërndarë nga policia, shkruhet se dhunimi i gazetarit është bërë nga pakujdesia e një prej efektivëve të FNSH gjatë një operacioni.
Policia i ka shprehur keqardhje për aktin e efektivit, dhe ka kërkuar ndjesë ndaj gazetarit të “News24”.
Mësohet se më herët, gazetari është telefonuar dhe nga kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Njoftimi
Policia e Shtetit ka ndaluar sot në mbrëmje në Peshkopi një person me precedente të shumëfishtë penale, ndaj edhe aksioni i ndalimit ka qenë kompleks.
Nisur nga të dhënat e marra në rrugë operacionale, operacioni ishte me risk të shtuar.
Në kushtet e këtij aksioni të zhvilluar në një situatë të tensionuar, një punonjës i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është treguar i pakujdesshëm duke shtyrë një gazetar teksa po filmonte me celular operacionin.
Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këtë incident duke i kërkuar ndjesë gazetarit të TV “News 24”.
Ky akt i pakëndshëm erdhi si rezultat i aksionit të zhvilluar nën tension dhe pamundësisë së punonjësit të Policisë për të identifikuar në kohë të shpejtë gazetarin.
Pavarësisht situatës së krijuar, Policia e Shtetit siguron të gjithë qytetarët dhe gazetarët se është në shërbim të tyre dhe ndodhi të tilla nuk do lejohen të përsëriten, pavarësisht arsyeve dhe situatave./ Opinion.al E.Xh.