Ditë jo të mira për mbrojtësin e Kombëtares Berat Gjimshiti, i cili është larguar papritur nga skuadra e Zyrihut me të cilën militonte në kampionatin elitar të Zvicrës.
Ka qenë vetë klubi i cili ka lajmëruar largimin nga ekipi i parë të katër lojtarë, mes të cilëve edhe mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Berat Gjimshiti.
Nëpërmjet një vendimi të marre nga drejtuesit e klubit zviceran, Berat Gjimshiti, Amine Chermiti, Davide Chiumiento dhe Leandro Di Gregorio nuk do të stërviten me ekipin pasi ata nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerit të ekipit, Sami Hypia.
Gazeta “Blick” njofton se klubi i ka lënë të lirë lojtarët të gjejnë një ekip tjetër për të vazhduar karrierën, por nëqoftësë nuk gjejnë një destinacion atëherë ata do të jenë të lirë të perdorin ambientet e klubit për tu stërvitur individualisht.
Berat Gjimshiti është pjesë e ekipit të parë të Zyrihut prej vitit 2011 ku numëron 103 ndeshje zyrtare ku ka shënuar dhe 3 gola ndërkohë që shtatlarti ishte pjesë mjaft e rëndësishme e sukseseve të kombëtares Kuq e Zi që kulmuan me kualifikimin në Euro 2016.