Ka nisur këtë të Enjte në Kosovë, një operacion me dyshimet për spiunazh.
Operacioni po kryhet nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor dhe Agjencinë për Inteligjencë.
Autoritetet nuk kanë dhënë informacione rreth operacionit në lidhje me të dyshuarit apo vendet ku po kryhet, për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se nën udhëheqjen e saj, është duke u zhvilluar një operacion në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, në lidhje me dyshimet për kryerjen e veprës penale të spiunazhit. Operacioni është ende në zhvillim dhe për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve, më shumë detaje do të bëhen publike pas përfundimit të operacionit”, njoftoi Prokuroria.