Orinda Huta dhe Turjan Hyska u gdhinë të premten në mëngjes burrë e grua, duke celebruar kështu historinë 10-vjeçare të dashurisë me një ceremoni dasme emocionuese dhe mbresëlënëse të organizuar në Tiranë të enjten në mbrëmje.
Marçela Lati, drejtore e sektorit të veshjeve të “Geraldina Sposa”, rrëfeu për gazetën “Panorama” se ceremonia e dasmës që zgjati deri në të gdhirë të së premtes u organizua në natyrë, në pyllin e improvizuar në “Iluminatium restaurant”, në një dekor të realizuar me shumë shije nga Mand Peza, sipas dëshirave të vetë çiftit të famshëm.
Detajet bëjnë diferencën, dhe në këtë rast e gjithë dasma ishte konceptuar si një festë e rrallë me 20 kulme, ku çifti ishin protagonistët kryesorë që e morën vetë në dorë drejtimin e spektaklit të ditës më të rëndësishme të jetës së tyre. Marçela na rrëfen detajet e dasmës që nisi në orën 19:30 të mbrëmjes, dhe zgjati deri në orët e para të ditës së premte, derisa feksi drita e parë e mëngjesit të së premtes.
CEREMONIA E CELEBRIMIT ME 50 VETË, BETIMI I TURI I PËRLOTI TË GJITHË Orinda Huta me një eksperiencë disavjeçare si modele e sfilatave të “Geraldina Sposa” nuk dëshironte të ishte ekstravagante në ditën e saj të rëndësishme. “E zgjodhi fustanin e nusërisë që në muajin janar, një fustan i dizenjuar nga Herve Moreau, për të cilin vendosëm të dyja, pasi ishim në të njëjtën linjë shijeje”, tregoi Marçela për gazetën “Panorama”. Ndërsa Turi u shfaq si një dhëndër gjithë klas me kostum të dizenjatorit famoz italian të kostumeve të dhëndërisë, Carlo Pignatelli.
Momenti i altarit ishte ai më emocionuesi që nisi në orën 19:30, një ceremoni shumë intime me praninë e rrethit më të ngushtë të familjarëve dhe miqve prej 50 vetëve. Nusja këngëtare, Orinda Huta, dhe prezantuesi me një të kaluar prej këngëtari,Turjan Hyska, i bënë premtime në të mirë e në të keq njëri-tjetrit para altarit. Por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte pikërisht përlotja e Turit, ndërsa mbante Orindën prej dore, ndërsa fjalët që kishte zgjedhur i përlotën të gjithë. “Nuk kam frikë nga e ardhmja, sepse kam në krah një krijesë magjike, që shpresoj të jetë nëna e fëmijëve të mi të shumtë.
Gjithë jetën do përpiqem vetëm që mos të ikë ai shkëlqimi nga sytë e tu dhe buzëqeshja që ke gjithmonë”, u shpreh Turi në betimin para kunatit të tij të ardhshëm, pra vëllait të Orindës. Përlotja e Turi Hyskës në dasmë u bëri përshtypje të pranishmëve, pasi zakonisht ajo që derdh lot në dasmë është nusja. Por çfarë ndodh në dasma sipas eksperiencës që kanë çifti i famshëm i dasmave VIP, Marçela dhe Mandi?
“Turi Hyska, ishte burri më romantik që kemi parë. Të shohësh një dhëndër që të qajë është diçka e rrallë në dasma. Edhe pse dukej ai djali mistrec, në fakt tregoi që ishte shumë, shumë romantik duke transmetuar një emocion të veçantë tek të gjithë”, tha Marçela Lati për gazetën “Panorama”. Pas orës 20:00 nisën të vinin të ftuarit e tjerë për ceremoninë me 300 dasmorë, e cila ishte konceptuar si një natë e gjatë feste, ku u ezauruan të gjitha etapat ceremoniale me 20 kulme. Çifti shkëmbyen unazat e martesës që ishin të thjeshta, pra në modelin e rrethit klasik.
DASMA NË PYLLIN E MAGJEPSUR, DHE SIMBOLI I NGJYRËS GOLD
Ata i kishin idetë të qarta. Një dasmë në natyrë, më saktë në pyll të magjepsur, ku në krah të kalonte lumi Erzen në periferi të Tiranës. Sa u takon elementeve të dekorit dhe detajeve dëshironin të ishin larg ngjyrës tradicionale të së bardhës së dasmave, duke preferuar ngjyrën gold, të cilën nuk e kanë pjesë të jetës, por që dëshironin ta kishin si element përfaqësues në dasmë.
Dasma ishte e fisme, madhështore dhe e thjeshtë, tri elemente që u ndërthurën aq bukur për të sjellë atmosferën e një feste larg pompozitetit, por që të transmetonte emocion. Ndërkohë që kishte shumë trëndafila natyralë në ceremoni, gjatë së cilës Turi dhuroi katër dhurata tufa me lule për dy mamatë e secilit, si dhe për dy profesionistët që u kujdesën për detajet Marçela Latin, dhe grimieren Eva Dibra, për të cilat Turi tha se ishin gratë që i kishte njohur prej Orindës.
Natyrisht që ranë në sy karriget e celebrimit dhe ajo e ceremonisë, të cilat kishin ngjyrat, materialin dhe modelin që të afronin te diçka e ëndërrt e hyjnore. Ra në sy fakti që çifti nuk bënë setin e fotove artistike që kanë dalë në modë këto kohë, duke u mjaftuar me fotot e ceremonisë të shkrepura nga Elvis Gorica.
Për gjithë organizimin u kujdes miku më i afërt prej më shumë se një dekade i çiftit, Klevis Saliaj, ndërkoha që surpriza e mbrëmjes ishte kënga që Turi i kishte dedikuar Orindës, teksi i së cilës iu shpërnda të ftuarve para se ai ta debutonte. 7/29/2017 VIP-at në dasmën e Orinda Hutës dhe Turi Hyskës, detajet e ceremonisë madhështore në pyll me 300 të ftuar http://www.panorama.com.al/vip-at-ne-dasmen-e-orinda-hutes-dhe-turi-hyskes-detajet-e-ceremonise-madheshtore-ne-pyll-me-300-te-ftuar6/ 7/13 Dedikimi i Turit për Orindën: Kur të bëhemi tre, çfarë do të ndodhë me ne?
VIP-AT NË DASMË, DHE KËNGËTARËT BIG QË E DOGJËN PËR ÇIFTIN
Ashtu siç jemi mësuar, mund të mendohet që në një dasmë ku i japin fund beqarisë çifti i njohur i muzikës dhe televizionit do të ishte e pushtuar nga VIP-ta, por jo. “Nuk kishte shumë VIP-a, pasi në ceremoni ishin vetëm personazhet publikë që janë miqtë e ngushtë të çiftit. Pra të ftuarit nuk ishin në dasmë se ishin VIP, por sepse ishin miqtë e tij të ngushtë me të cilët çifti kanë marrëdhënie të ngushta në jetën e tyre jashtë punës”.
Gjithsesi, nga uljet në tavolina te kërcimi i çiftit u vu re që atmosfera i rrëmbeu si me magji, duke i bërë të dilnin nga vetja disa prej tyre.
Kështu u vu re zbritja në pistën e kërcimit e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me bashkëshorten Ajola Xoxa, apo prania e Blendi Klosit, Jul Dedës, Ermal Mamaqit, Ami Tosk- ës, etj. Ajo që binte në sy ishte skena e instaluar, ku çifti ishin protagonistë apo moderatorë të dasmës së tyre, ku nuk mungonin batutat rreth fundit të beqarisë dhe fillimit të një jete familjare me frikërat e saj. Nga Aurela Gaçe, Aleksandër Gjoka, Redon Makashi djemtë e grupeve të Turit “Produkt 28” apo “West Side Family”, dhe Dj. Vin Veli ishin ata që krijuan atmosferë të jashtëzakonshme. Kulmin show e arriti me këngëtarin Kozma Dushi, i cili riktheu nostalgjinë e këngëve të tij të njohura ndër vite.
“Ky ishte beratasi më famoz, para se të shfaqesha unë”, ishte batuta e Turit për këtë rast, që shkaktoi të qeshura te dasmorët. Ndërkohë që momenti më i veçantë dhe i paparashikuar ishte kur showman-i Ardit Gjebrea, si rrallëherë, mori mikrofonin për të kënduar me Orinda Hutën një nga këngët e saj më të njohura që mbahet mend për refrenin “Tani e di…” Fill pas tortës së dasmës, që u pre nga çifti rreth orës 02:30, ishte Briken Fejzullahu që përgatiste koktejet për dasmorët në një open bar që ishte instaluar në këndin e dekorit. Sa për menunë, ajo ishte gjysmëtradicionale dhe e shoqëruar me verë të mirë. Ndërkohë që nuk mungoi detaji misterioz dhe i personalizuar në tavolina, një tub qelqi me bar code, brenda së cilit gjendej falënderimi për dasmorët./PANORAMA/