Kronikë

Detaje të reja nga dinamika e vrasjes së Andi Zylyfit në Peqin


               Publikuar në : 22:22 - 14/12/19 |
Al Do

Detaje të reja kanë dalë nga grupi hetimit rreth ekzekutimit të 26-vjeçarit Andi Zylyfi mbrëmjen e djeshme në Peqin.

Mësohet se ai ka qenë në një lokal buzë rrugës Elbasan – Peqin. Një automjet ka ndaluar shumë pranë lokalit dhe prej aty ka zbritur një person i maskuar i cili ka qëlluar 27 plumba në drejtim të 26-vjeçarit Zylyfi.

Ky i fundit ndërroi jetë ndërsa shoku i tij Ardit Uruçi mbeti i plagosur rëndë. Nuk ka ende të dhëna se në cili drejtim janë larguar autorët pas krimit.

Andi Zylyfi kishte 3 ditë që kishte ardhur në Shqipëri nga Holanda. Ai u ekzekutua në mënyrë të ngjashme me djalin e hallës së tij Endrit Alibej i cili u vra rreth një vit më parë pasi ishte kthyer nga Holanda për festat e fundvitit.

Më 29 dhjetor të 2018 në atentat humbën jetën Endrit Alibej 34-vjeç, Arben Dylgjeri 56 vjeç, si dhe një shtetas turk Erdal Duranay.

Andi Zylyfi dhe Ardit Uruçi nuk rezultojnë me precedentë penal në Shqipëri, megjithatë Prokuroria ka dërguar letër-porosi në Holandë për të marrë informacion nëse ai është skeduar atje.

Deri më tani janë shoqëruar së paku 10 persona të cilët po merren në pyetje për ngjarjen e cila duket se ka qenë e përgatitur mirë nga autorët të cilët kanë patur informacion të saktë mbi mbërritjen e viktimës dhe vendndodhjen e tij. Ende nuk është i qartë shkaku nëse kemi të bëjmë me hakmarrje ose prishje pazaresh droge siç dyshohet në rastin e vrasjes së Endrit Alibejt, e cila ende është pa autor. /Opinion.al

Pas