Nga Gjergj Erebara
Të ardhurat e qeverisë shënuan një rekord të ri negativ gjatë muajit tetor, duke demonstruar se dhuna ndaj tatimpaguesve, arrestimet dhe kërcënimet për gjoba, bashkë me kontrollet shtesë të tatimorëve, nuk japin rezultat.
Të dhënat paraprake të Ministrisë së Financave, të cilat u publikuan me më shumë se dy javë vonesë për arsye të pashpjeguara, tregojnë se gjatë muajit tetor, qeveria arkëtoi 31.6 miliardë lekë të ardhura, plot 4.5 miliardë lekë më pak se sa plani i rishikuar i këtij muaji që qe 36.2 miliardë lekë. Por njëkohësisht, gjatë tetorit të këtij viti, qeveria arkëtoi 886 milionë lekë më pak se sa tetori i vitit 2014, pavarësisht se këtë vit është rritur taksa e qarkullimit mbi karburantin nga 17 në 27 lekë për litër si dhe akciza e cigareve nga 90 në 110 lekë për paketë.
Supozimi se lufta kundër informalitetit në punësim do të sillte rritje të ndjeshme të të ardhurave, krahas pretendimeve se tatimorët kishin arritur të formalizonin dhjetëramijëra të punësuar në të zezë, doli gjithashtu e pabazë. Të ardhurat e qeverisë nga fondet speciale, ku përfshihen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, rezultuan vetëm 368 milionë lekë më shumë se sa plani i rishikuar, një shifër minimale kjo dhe që nuk përputhet me pretendimet për mijëra të punësuar të formalizuar nga aksioni antiinformalitet.
Të dhënat paraprake të të ardhurave dhe shpenzimeve, sipas kalendarit të publikimeve të Ministrisë së Financave, duhet të bëhen publike në datë 8 të çdo muaji, me përjashtim të rasteve kur data 8 bie ditë pushimi. Por gjatë muajve të fundit, Ministria e Financave ka refuzuar të publikojë në këtë datë bilancin e vet pa dhënë ndonjë shpjegim bindës për këtë.
Sipas kalendarit të publikimeve, më datë 22 të çdo muaji, Ministria e Financave duhet të publikojë raportin e detajuar analitit të të ardhurave dhe shpenzimeve, gjë që e ka bërë me vonesa të konsiderueshme përgjatë dy viteve të fundit.
Ndërkohë, një raport mujor shpjegues që filloi të publikohej nga viti 2010, nuk është publikuar më që nga dhjetori 2013.
Në total, të ardhurat e qeverisë nga tatimet dhe doganat pësuan një deficit prej 3 miliardë lekësh në tetor në krahasim me planin e rishikuar dhe prej 3.7 miliardë lekësh në krahasim me planin fillestar.
Deklaratat e shpeshta të muajve të fundit për rritje marramendëse të xhiros së deklaruar nga bizneset si pasojë e masave të qeverisë, rezultojnë gjithashtu të pavërteta. Bilanci i qeverisë tregon se pikërisht Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është sërish më pak se plani.
Por deficiti më i lartë te të ardhurat e muajit tetor u shkaktua te akcizat. Aksionet e mirëreklamuara të administratës doganore, e cila mbledh akcizat, kundër tregtisë së duhanit të fshatarëve nga Elbasani deri në Shkodër, nuk dhanë ndonjë ndihmë të madhe. Në tetor, qeveria mblodhi 3.1 miliardë lekë të ardhura nga akcizat, 1.7 miliardë më pak se sa plani.
Qeveria shqiptare nisi një fushatë kundër informalitetit në ekonomi nga shtatori i këtij viti, duke argumentuar se vetëm dhuna mund të sjellë disiplinë mes taksapaguesve. Gjatë shtatorit, një numër qytetarësh u arrestuan nga policia ose u vunë në ndjekje penale në gjendje të lirë të akuzuar se kishin bërë tregti në të zezë. Në Shkodër dhe në Elbasan, administrata doganore shënjestroi me konfiskime duhanin e hapur të tregtuar nga fshatarët, duke argumentuar se ky segment i tregtisë së duhanit qe përgjegjës për rënien e importeve të taksueshme të cigareve.
Gjatë tetorit, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligje më të ashpra kundër evazionit fiskal, përfshirë shumëfishimin e gjobave të parashikuara për rastet e evazionit fiskal, masa që u konsideruan nga ekspertët si ekstreme, të panevojshme dhe të pakuptimta.
Një tregtar në Berat duke tregtuar fshehurazi duhan të hapur më 30 prill 2015. Një numër i madh shqiptarësh po konsumon duhan të dredhur duke reduktuar importet e taksueshme dhe duke rrënuar të ardhurat e qeverisë. Foto: BIRN
Një tregtar në Berat duke tregtuar fshehurazi duhan të hapur më 30 prill 2015. Një numër i madh shqiptarësh po konsumon duhan të dredhur duke reduktuar importet e taksueshme dhe duke rrënuar të ardhurat e qeverisë. Foto: BIRN
E gjithë fushata u shoqërua me një numër të konsiderueshëm deklaratash që paralajmëronin sukses të jashtëzakonshëm të kësaj vale të re dhune, përfshirë deklarimin se xhiroja e raportuar nga kasat fiskale të shitjeve me pakicë është rritur me 100 milionë dollarë në një muaj apo se dhjetëramijëra shqiptarë janë futur për herë të parë në skemën e sigurimeve shoqërore.
Por bilanci i shtetit tregon krejt të kundërtën. Të ardhurat e qeverisë kanë rënë në nivele të paimagjinueshme dhe kjo i bën arrestimet dhe dhunën ndaj bizneseve akoma më të pakuptimta.
Për periudhën janar-tetor të këtij viti, deficiti në të ardhura në krahasim me planin fillestar ka arritur në 26 miliardë lekë (rreth 185 milionë euro). Qeveria e uli planin e të ardhurave me 16.2 miliardë lekë në mënyrë sekrete duke përdorur një akt normativ në korrik 2015. Por ende pa u diskutuar akti normativ, u bë e qartë se të ardhurat nuk do të realizoheshin as me planin e ri. Vetëm një javë më parë, qeveria dërgoi në Kuvend buxhetin e vitit 2016, në relacionin e të cilit, argumentonte se realizimi i të ardhurave këtë vit do të qe 8.9 miliardë lekë më pak se sa plani i rishikuar në korrik. Por megjithëse nga plani i qeverisë kanë mbetur ende dy muaj, deficiti në krahasim me planin e ri ka arritur sakaq në 10 miliardë lekë.
Investime të ngrira, deficit minimal
Por ndërsa të ardhurat e qeverisë janë me deficit të lartë, problemi tjetër duket se shihet te shpenzimet. Qeveria ka mbajtur një deficit minimal prej 18.9 miliardë lekësh në bilancin e përgjithshëm të të ardhurave dhe shpenzimeve, nga deficiti prej 58 miliardë lekësh që qeveria është e autorizuar të realizojë. Shkurtimet dërrmuese janë te investimet publike, të cilat janë realizuar në masën 59 për qind pavarësisht se kanë mbetur vetëm dy muaj kohë, si dhe te shpenzimet për buxhetin vendor. (Qeveria klasifikon si shpenzime të buxhetit vendor edhe Fondin e Zhvillimit të Rajoneve, një fond investimi i kontrolluar nga qeveria qendrore).
Mungesa e shpenzimeve në investime publike është një bumerang që dëmton rritjen ekonomike të vendit dhe rrjedhimisht, edhe vetë të ardhurat e qeverisë. Qeveria aktuale përgjatë dy viteve të fundit ka treguar vështirësi të theksuar në realizimin e investimeve që ajo vetë ka programuar në buxhet. Vitin e kaluar, Ministria e Financave u përpoq të mos djegë një pjesë të këtyre investimeve të lëna për çastin e fundit, duke përdorur në shkallë të paprecedent më parë, një manovër ligjore të quajtur Letër Kredit, me të cilën, shpenzimet e parealizuara i transferoi si garanci bankare për kompanitë që kishin fituar tenderët, me qëllim që të parapaguheshin në dhjetor investime që realisht u kryen jashtë mandatit të buxhetit të vitit 2014.